Barcelona e përfundoi në çerekfinale rrugëtimin e këtij sezoni në Champions League teksa bluagranat u përmbysën në shtëpi nga Paris Saint-Germain me rezultatin 1-4. Katalanasit u penalizuan nga një karton i kuq për Ronaldo Araujon në minutën e 29 të pjesës së parë, teksa më pas nisi edhe festivali i golave të parizienëve.
Pas sfidës, trajneri Xavi Hernandez theksoi se skuadra e tij është jashtë Europës vetëm prej vendimit të arbitrit për të nxjerrë jashtë loje Araujon, që sipas tij ishte tërësisht një vendim i gabuar. Nga ana tjetër, Xavi shtoi se nuk e ndryshon vendimin e deklaruar para disa muajsh dhe se do të largohet nga Barcelona në fundin e sezonit.
“Jam i zhgënjyer si të gjithë tifozët e Barcelonës, kemi bërë një punë të jashtëzakonshme në Champions dhe më vjen keq që aventura përfundoi për një gabim të arbitrit. Jam krenar për skuadrën dhe besoj se meritonim kualifikimin, këtë e treguam kur në fushë ishim 11 kundër 11. Por, kështu ndodh në futboll, vendimet gjithmonë kanë ndikimin e tyre në fushë dhe për ne ai vendim i arbitrit kushtoi shumë. Sa i përket të ardhmes sime, asgjë nk ka ndryshuar”, u shpreh Xavi.
“Është turp i madh që për shkak të një vendimi të arbitri, kjo ndeshje përfundon kështu. Kartoni i kuq i Araujos? Nuk është mirë për futbollin, bëhet një ndeshje tjetër. Puna e një sezoni të tërë përfundon këtu për shkak të arbitrit. Ne nuk mund të heshtim, nuk ka kuptim të diskutojmë ndeshjen dhe të bëjmë analiza, arbitri shkatërroi gjithçka. Do të doja që të luhej 11 kundër 11”, tha Xavi.