Dy efektivë janë përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit, pasi akuzohen për veprime korruptive, shpërdorim detyre, përfshirje në grupe kriminale dhe lojëra fati.
Mësohet se është përjashtuar efektivi Henerigert Mitri me detyrë shef i Sektorit të Analizës së Riskut, në Drejtorinë e Menaxhimit dhe Drejtimit, në Departamentin për Sigurinë Publike pasi akuzohet për kultivim të lëndëve narkotike, pjesmarrje në grupe kriminale, lojëra fati dhe korrupsion pasiv. Ndaj tij Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”.
Gjithashtu është përjashtuar Klodian Shahini me detyrë shef i Seksionit të Policimit në Komunitet dhe Shërbimit ndaj të Tretëve, në Drejtorinë Vendore të Policisë, Dibër, për të njëjtat akuza. Edhe ndaj Shahinit gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Lajmi është bërë me dije nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, në një deklaratë për shtyp.
Burime bëjnë me dije se dy efektivët kanë bashkëpunuar me anëtarët e grupeve kriminale në lezhë dhe Fushë Krujë për të drejtuar dhe organizuar kultivimin e lëndëve narkotike dhe të lojrave të fatit. Gjithashtu mësohet se dy zyrtarët e policisë kanë bashkëpunuar me vëllain dhe kushëririn e deputet Eduard Ndreca, Armando dhe Elvis Ndreca, duke i favorizuar në kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Kashnjetit. Veprimtaria e tyre është zbuluar nga zbardhja e komunikeve në Sky ECC pas operacionit të SPAK në kuadër të së cilit u lëshuan 50 urdhër arreste.
Njoftimi i plotë:
“Në radhët e Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend për askënd që shkel ligjin dhe, më keq akoma, bashkëpunon me grupet kriminale. Falënderoj Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byronë Kombëtare të Hetimit për bashkëpunimin profesional në përpjekjet e përbashkëta për goditjen e krimit të organizuar dhe vënien përpara drejtësisë të kujtdo që tenton t’i shmanget asaj”.
Bazuar në ligjin 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe Rregulloren e Policisë së Shtetit, u vendos përjashtimi nga policia për:
1 – Drejtues H. M., me detyrë shef i Sektorit të Analizës së Riskut, në Drejtorinë e Menaxhimit dhe Drejtimit, në Departamentin për Sigurinë Publike, pasi më datë 15.05.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 283/1, 28/4, 333/a/1, 334, 259, 197/3 dhe 248 të Kodit Penal.
2 – Komisar K. SH., me detyrë shef i Seksionit të Policimit në Komunitet dhe Shërbimit ndaj të Tretëve, në Drejtorinë Vendore të Policisë, Dibër, pasi më datë 15.05.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80, 284, 28/4, 333/a/1 e 334 të Kodit Penal.