Për 111 vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetit është zhvilluar sot në Gjirokastë një ceremoni e veçantë. Mes autoriteteve lokale pjesëmarrëse mbajti një fjalë edhe kreu i Drejtorisë Vendore të Policisë së Qarkut Gjirokastër, Ardian Çipa. Mes të tjerash ai evokoi rrugëtimin e gjatë të Policisë së Shtetit prej themelimit e deri në sfidat e ditëve të sotme. “E sotmja është detyrë, e ardhmja është sfidë për të ruajtur atë çfarë është arritur”, tha Çipa duke theksuar më tej se “qytetarët kanë nevojë për Policinë e Shtetit për të qenë të barabartë përpara ligjit”.
Më poshtë fjala e tij e plotë
I nderuar Z. Prefekt i Qarkut,
I nderuar Z.Kryetar i Këshillit të Qarkut,
I nderuar Z.Kryetar i Bashkisë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese,
Të nderuar zonja dhe zotërinj, personalitete të qytetit të Gjirokastrës
Të nderuar familjarë të dëshmorëve të Policisë së Shtetit, veteranë, kolegë e të pranishëm!
Më lejoni të shpreh mirënjohjen time, në emër të punonjësve të policisë së Gjirokastrës por, edhe timin personal për praninë tuaj në këtë festë të Policisë së Shtetit.
Krijimi i Policisë së Shtetit për herë të parë, u bë bazuar në vizionin e themeluesit të shtetit, i cili në ditët e para të vitit 1913 do të rekomandonte: “Përpiquni të siguroni sa më mirë qetësinë e vendit dhe rendin publik…”, “Duhet pra,…të mësohet puna e xhandarmërisë dhe e policisë në duar të ndershme dhe të stërvitura, të zgjidhni xhandarë dhe policë me kujdes të madh dhe të një rregulli të shtrënguar!”.
111 vjet më parë, pikërisht më 13 Janar 1913, u krijua një nga institucionet më të rëndësishme në funksion të formatimit të shtetit ligjor si element themelimi për Shtetin. Eshtë fjala për Policinë e Shtetit shqiptar. Për gjenerata të tëra, prej 13 Janarit 1913, gratë dhe burrat me integritet e kurajozë të policisë të vendit tonë, i janë përgjigjur thirrjes për t’i shërbyer dhe mbrojtur komuniteteve tona.
Ata kanë përballuar me vështirësi rrethanat e rrezikshme dhe të paparashikueshme gjatë shërbimit. Punonjësit e policisë kanë mishëruar e mishërojnë guximin dhe nderin që përfaqësojnë, shembullin e sakrificës dhe vetmohimit. Në ditën e krijimit të policisë, gjej rastin të shpreh mirënjohjen time për punonjësit e këtij institucioni të cilët me shërbimin e tyre, bëjnë përpjekje dhe ja kanë aritur, të mbajnë të sigurtë jetën e pronën e qytetarëve
E shkuara 111 vjeçare e Policisë Shqiptare, është vlerë dhe kohë e gjatë sakrificash, por kryesisht, është shërbim për Atdheun dhe shoqërinë shqiptare. Mosha 111 vjeçare e Policisë Shqiptare, është një kohë e cila ka punuar për t’i nxjerë asaj në pah, rëndësinë dhe vlerat në funksion të shtetit ligjor, të shtetit të së drejtës dhe në funksion të qytetarëve.
Krijimi i policisë, ishte një domosdoshmëri themelore, pasi një shoqëri ka nevojë për drejtimin, rregullin dhe sigurinë që të jetë e shëndetshme, që të jetë për gjithë qytetarët dhe në lartësinë e autoritetit për bashkëpunim ndërkombëtar reciprok. Organizimi, zhvillimi dhe rrugëtimi i një institucioni ligjzbatues si policia, ka një të kaluar historike, që ka vijuar në proporcion të drejtë me lindjen dhe zhvillimin institucional e shoqëror të shtetit shqiptar deri sot.
Kjo kohë përfshin përpjekjet e pareshtura për rritjen e forcimin e kësaj strukture dhe për të qenë në lartësinë e duhur dhe e aftë për shkëmbimin e partneritetit me simotrat e saj në rajon, në hapësirën e Bashkimit Europian dhe organizatat e mëdha ndërkombëtare që kontribuojnë për standard dhe fuqizim në sferat policore.
Shqipëria dhe shërbimi që përfaqësojmë nuk na kërkon të jemi të përsosur. Pikërisht për shkak të papërsosmërive tona individuale, themeluesit tanë na dhanë institucione për t’u mbrojtur nga tirania dhe egoizmi dhe për të siguruar që askush të mos jetë mbi ligjin; një demokraci që na jep hapësirën për të punuar me dallimet tona dhe për t’i debatuar ato në mënyrë paqësore, për t’i përmirësuar gjërat, megjithëse kjo nuk ndodh gjithmonë aq shpejt sa do të donim.
Të nderuar të pranishëm,
Janë ndërmarë hapa që Policia e Shtetit sot, të jetë e transformuar. Janë bërë përpjekje për të adoptuar filozofi, mentalitet, logjistikë e burime njerëzore në përputhje me specifikat e kohës dhe bashkëpunimin e detyrimet ndaj partnerëve ndërkombëtarë. Në qendër të këtij transformimi, janë parimet dhe principet institucionale dhe qytetare të bashkëpunimit. Vlerësojmë në mënyrë të veçantë, partneritetin dhe bashkëpunimin me prokurorinë, prefekturën, bashkitë, njësitë administrative, institucionet dhe shoqërinë civile.
Në këtë vlerësim vijmë prej bindjes se partneriteti dhe bashkëpunimet e arritura janë domosdoshmëri dhe garanci për të ecur në rrugën e duhur, për të qenë garant të sigurisë dhe rendit, por edhe për të vijuar betejën me autoritetin dhe integritetin për garancitë e forta ligjore. Puna jonë nuk do kishte asnjë vlerë, asnjë kuptim në rast se ajo nuk do ndërthurej me këtë bashkëpunim, me besimin e komunitetit dhe mbështetjen e institucioneve qendrore të shtetit.
Në të njëjtën kohë ne vlerësojmë se ndërgjegjia dhe investimi strukturor për ndëshkimin e çdo abuzimi, shpërdorimi apo deformimi të misionit prej individësh brenda nesh, janë një sfidë me të cilën paralelisht ndjekim edhe betejën ndaj krimit të cfarëdollojshëm, korrupsionit apo ligjshkeljes në përgjithësi.
Angazhimi ynë në vijim, do fokusohet në parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në të gjitha format që ajo do shfaqet, me fokus kryesor goditjen e grupeve kriminale, luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, bashkëpunimit me qytetarët për të sensibilizuar e parandaluar dhunën në familje, parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, dhe krimeve mjedisore në tërësi.
Lufta me krimin e organizuar nuk është fillimi dhe fundi i misionit të Policisë së Shtetit, sepse qytetarët kanë nevojë për Policinë e Shtetit, jo për t’u mbrojtur thjesht dhe vetëm nga pasojat që sjell veprimtaria kriminale, kanë nevojë për Policinë e Shtetit për të qenë të barabartë përpara ligjit, për të shfrytëzuar hapësirat e bashkëjetesës, qoftë hapësirat urbane të bashkëjetesës, qoftë hapësirat në biznes, qoftë hapësirat në të gjitha fushat e tjera të veprimtarisë shoqërore, pa qenë të cënuar nga ata që shkelin ligjin, për të pasur garanci në pronën e tyre dhe në të gjithë harkun e veprimtarisë së tyre në shoqëri.
E sotmja është detyrë, e ardhmja është sfidë për të ruajtur atë çfarë është arritur duke i shtuar vijueshëm arritje më tepër. Misioni ynë në fuqi, mbi gjithçka është të garantojmë një mjedis sa më të sigurtë për shoqërinë, qytetarinë Gjirokastrite dhe krejt hapësirën administrative të prefekturës, pra qarkut tonë. Këtë shërbim maksimalisht e duam dhe jemi në angazhim të plotë për ta realizuar sa më cilësor për komunitetin. Ne jemi në krye të detyrës veçanërisht për të arritur në nivel maksimal sigurinë kombëtare duke plotësuar misionin historik të Policisë së Shtetit, atë mision që e trashëgojmë nga themelonjësit dhe paraardhësit e organizatës sonë me histori.
Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë vendosmërisht rrugën tonë. U jemi borxh të gjithë atyre që qysh prej ditës së lindjes së Policisë së Shtetit patën një vizion për si duhet të jetë dhe bënë çka mundën që ta çojnë drejt realizmit të atij vizioni. Siç u jemi borxh të gjithë atyre që dhanë jetën në radhët e Policisë së Shtetit, siç u jemi borxh të gjithë atyre që sot kontribuojnë në Policinë e Shtetit, duke filluar nga forcat që janë në vijën e parë të luftës me krimin, prindër, të cilët largohen në mëngjes nga shtëpia, përqafojnë fëmijët e tyre dhe shkojnë në punë duke marrë në konsideratë edhe vënien në rrezik të vetë jetës.
Në rrugën e gjatë që kemi përpara kemi motivimin e rezultateve të mëdha që kemi arritur, por kemi dhe pasurinë e madhe të eksperiencës prej gabimeve të bëra. Kush punon, gabon! Kush lufton, nuk mundet vetëm të fitojë, por edhe humbet! Dallimin në funksion të së ardhmes e bën vetëm një gjë, vetëdija për gabimet, eksperienca nga humbjet dhe vendosmëria për të mos përsëritur të njëjtat gabime dhe për të mos humbur për të njëjtat arsye. Ne, ju siguroj, kemi aftësinë për ta bërë këtë dallim dhe mbi këtë dallim do të ngremë më tutje ngrehinën europiane të Policisë.
Gëzuar festën të nderuar kolegë, veteranë të policisë e familjarë të dëshmorëve!
Gëzuar të gjithë ju miq dhe partnerë!
Gëzuar zotërinj qytetarë!
Ju faleminderit!