• Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
Nuk ka rezultate
View All Result

12 fjalë që zakonisht shkruhen gabim

07/08/2017
12 fjalë që zakonisht shkruhen gabim

“Gjuha, në të vërtetë, është pasuria jonë më e madhe…” – ka thënë dikur Rexhep Qosja, dhe si e tillë, meriton vëmendje të vazhdueshme, sidomos dekadat e fundit kur në të janë vënë re deformime të shumta. Gjuhëtarët dhe akademikët tanë tërheqin vëmendjen vazhdimisht për kujdes në mirëshkrimin dhe mirëshqiptimin e shqipes, e cila, për fat të keq, si çdo fushë e jetës, vijon të mbetet në tranzicion. Pa dashur të vëmë gishtin tek fajtorët, nuk mund të lëmë pa përmendur “kontributin” e klasës politike, të vetëquajturve “opinionistë” e “analistë”, por edhe shumë gazetarëve të medias së shkruar e elektronike, të cilët, pa pasur kulturë të mjaftueshme gjuhësore, flasin me kompetencë sidomos për gjërat që nuk i njohin. 

Pr. Dr. Pajtim Bejtja para pak kohësh, ka shkruar një artikull për deformimet në gjuhën shqipe: “Te deformimet që i bëhen gjuhës shqipe mund të ndalet gjatë, pasi ato janë të shumta dhe janë vënë në dukje në mjaft shkrime nga specialistët e gjuhës. Fakti që deformimet bëhen me shumicë edhe nga njerëzit publikë, që supozohet të kenë një nivel të lartë kulturor, tregon se kultura gjuhësore te ne është përgjithësisht e nivelit të ulët, gjë që kërkon vëmendje dhe masa nga ana e organeve dhe e institucioneve përkatëse, duke filluar nga ato arsimore. Nga ana tjetër, edhe vetë personat publikë (dhe jo vetëm këta), sidomos gazetarët, duhet të bëjnë përpjekje vetjake për rritjen e kulturës së tyre gjuhësore, duke e quajtur atë si pjesë përbërëse të kulturës profesionale. Në këtë mes nuk duhet harruar që gjuha është një nga tiparet themelore të identitetit kombëtar.”

Nisur nga ky citim, ne po e nisim nga fundi, pra nga vetja. Më poshtë, kemi renditur vetëm 12 fjalë që i përdorim çdo ditë, por që shpesh hasin deformim në drejtshqiptim dhe drejtshkrim. Ju, pasi t’i lexoni të zgjedhurat, jeni të lutur të shtoni të tjera, që këtë nismë të nisur me qëllim të mirë, të mos e lëmë me kaq.

Shkruhet: gjithëçka ose gjithshka

Duhet: gjithçka

Ë-ja fundore e fjalës gjithë bie në fjalët e përngjitura, si: gjithçka, gjithherë, gjithçmos, gjithfarë, gjithkah, gjithkund, gjithkush, gjithmbarë, i gjithmbarshëm, gjithmonë, gjithnjë, gjithsaherë, gjithsecili, gjithsesi etj.

Shkruhet: agjensi

Duhet: agjenci

Fjalët e huaja nga burimi latin e neolatin me c do të shkruhen me c e jo me s. Po ashtu, fjalët me burim grek a latin, që kanë një g përpara zanoreve i dhe e, shkruhen me gj (dhe jo me xh) ashtu si shqiptohen; p.sh.: agjenci, gjeografi, gjeometri, gjeneratë, gjenezë, gjimnastikë, higjienë, origjinë etj. Në agjencitë turistike ku shkruhet si në rastin e fotos, meritoni një paketë “all inclusive.”

Shkruhet: djath

Duhet: djathë

Shkruhet -ë-ja fundore te emrat mashkullorë dhe shumica e emrave mashkullorë që përdoren edhe si asnjanës: atë, burrë, djalë, gjalmë, gjumë, kalë, lëmë, lumë; ballë (balli, ballët), brumë (brumi, brumët), djathë (djathi, djathët), drithë, drithëra, dyllë, dhallë, dhjamë, gjalpë, mjaltë, ujë, ujëra etj.;

Shkruhet: marrdhënie, mardhënie, marrëdhënje

Duhet: marrëdhënie

Emrat femërorë foljorë me prapashtesën -je e ruajnë j-në në trajtën e pashquar dhe të shquar të njëjësit dhe të shumësit; p.sh.: ardhje, derdhje, dalje, lidhje, marrje, mbështetje, pritje, shitje, tretje etj.

Por ku bashkohet j-ja me n-në, do të shkruhen nie dhe jo nje; p.sh.: dhënie, marrëdhënie, parathënie, etj. Kështu do të shkruhet edhe gie dhe jo gje djegie (e jo djegje), shmangie, lagie etj. Me j do të shkruhen edhe emrat femërorë me -ije dhe -ijë, në të cilët j-ja i përket temës së fjalës dhe ndihet kudo; p.sh.: anije, anija, anijeje; fije, fija; shije, shija; bijë, bija; mijë, mija; vijë, vija, fëmijë, fëmija, fëmijët a fëmi, fëmija, etj.

Shkruhet: Lagja

Duhet: Lagjja

(Shpjegimi në rastin e lagjes është si marrëdhënie). Në rast se do ndeshni një tabelë në qytet me Lagja “Luigj Gurakuqi”, shtojini edhe një –j, pra Lagjja “Luigj Gurakuqi”. Dikush do ta fiksojë, patjetër.

Shkruhet: çertifikatë

Duhet: certifikatë

Në pajtim me shqiptimin e sotëm letrar, fjalët me burim nga latinishtja a nga gjuhët romane, si edhe nga greqishtja, të cilat në gjuhën shqipe kanë një c të ndjekur nga zanorja e ose i, shkruhen me c dhe jo me ç apo me s: celebrim, celular, centralist, centralizoj, certifikatë, procedurë, proces, etj.;

Shkruhet: e dielë

Duhet: e diel (pa ë-fundore)

Ditën e shtatë të javës, Zoti e bëri pushim. Edhe ë-ja fundore në këtë rast është gjithmonë pushim.

Nuk shkruhet ë-ja fundore tek të gjithë emrat, te të cilët grupi i zanoreve ie ndiqet nga një bashkëtingëIlore e lëngët (l, ll, r) dhe të gjitha fjalët e formuara prej tyre: e diel, diell, miell, qiell, etj.; diellor, përmiell, miellzim, qiellor, etj.;

Shkruhet: Digjitalizim

Duhet: Dixhitalizim

Në pajtim me shqiptimin e sotëm letrar, fjalët që burojnë kryesisht nga greqishtja, latinishtja e nga gjuhët romane dhe që në shqipen kanë një gj të ndjekur nga një e ose i, shkruhen me gj. Por dixhitalizim është një fjalë, kryesisht e re e shqipes, dhe me dixhitalizimin e sistemit të arsimit në Shqipëri, përmes futjes së tabletave në shkollë, ka pasur konfuzion edhe nga vetë Ministria e Arsimit për rastin në fjalë, meqenëse herë e shkruan digjitalizim e herë dixhitalizim. Për këtë, në një deklaratë publike pak kohë më parë, akademiku Jorgo Bulo ka thënë: “Dixhitalizim është fjalë e re në fjalorin e shqipes dhe ka krijuar konfuzion, por duhet të shkruhet me “xh” dhe jo me “gj”, sipas rregullit të drejtshkrimit të shqipes, që fjalët e huaja shkruhen ashtu siç shqiptohen”.

Shkruhet: vënd

Duhet: vend

Së bashku me qendër – jo qëndër, mendje jo mëndje; fle jo flë; qendër jo qëndër

Shkruhen me e (dhe jo me ë) fjalët ku kjo zanore është e theksuar dhe ndiqet ose ka qenë ndjekur në të kaluarën nga një bashkëtingëIlore hundore (m, n, nj). Me e shkruhen gjithashtu fjalët e prejardhura ose të përbëra të formuara prej tyre, pavarësisht nga lëvizja e theksit:

(më) dhemb, dhembje, femër, femërore, gjemb, e premte, rremb, shemb, shembull, shembullor, i shtrembër, shtrembëroj, tremb, thembër, zemër, zemëroj etj.; argjend, argjendar, brenda, brendi, i brendshëm, mendje, mendoj, mendim, përmend, zëvendës, zëvendësoj etj.; e enjte, gështenjë, ndenja, (i, e) ndenjur, shenjë (por shënoj, shënim), (i, e) shenjtë, (i, e) shtrenjtë etj.

Shkruhet: Mirësevini!

Duhet: Mirë se vini!

Mirë se erdhe! Mirë se vjen! Mirë se rrini! Mirë se ju gjeta! Mirë ardhsh! Mirë vafsh! Mirë mbetsh! Qofsh mirë! Ju bëftë mirë!”, shkruhen ndaras, jo bashkë, siç hasen zakonisht, sidomos në institucionet arsimore, ku mësohet gjuha shqipe. P.sh., thuajse në të gjitha shkollat, shohim “Mirësevini, nxënës të dashur!”, e cila, sigurisht që është shkruar gabim. Edhe në hyrje të shumë qyteteve, kjo shprehje gjendet e shkruar gabim: “Mirësevini në X qytet!”

Kujdes! Këto pasthirrma shkruhen bashkë vetëm kur ato kthehen në emra, p.sh.: Pasi i uroi mirëseardhjen, e ftoi të uleshin brenda. Fjala e mirëseardhjes. Darka (dreka) e mirëseardhjes. Në shenjë mirëseardhjeje etj.

Shkruhet: Qera

Duhet: Qira

Shumë njerëz e dinë se trajta e duhur është qera, madje është qesharake edhe kur korrigjojnë të tjerët kur e përdorin në të folur a të shkruar qira. Në fakt, kjo fjalë shkruhet me i dhe jo me e. I-ja nuk jepet me qira në këtë rast.

Shkruhet: sërisht

Duhet: sërish

Sërish hyn në grupin e atyrë fjalëve, të cilave u shtohen “bishta”, si, p.sh., thuhet Yzberisht, në vend të Yzberish apo garazhd, në vend të garazh (siç duket ngatërrohet garazhi me grazhdin, shkruan Prof. Bejtja).

Related Posts

Tre breza në skenë, Ilir Shaqiri këndon bashkë me djalin e nipin para turmës së protestuesve në Prishtinë
Pikante

Tre breza në skenë, Ilir Shaqiri këndon bashkë me djalin e nipin para turmës së protestuesve në Prishtinë

17/02/2026
Si ta kthesh 14 shkurtin në festë kur je beqar
Lifestyle

Si ta kthesh 14 shkurtin në festë kur je beqar

10/02/2026
A është gjithçka që hamë e lidhur me kancerin?
Lifestyle

A është gjithçka që hamë e lidhur me kancerin?

07/02/2026
Kodi i ri Penal/ Burg nëse organizoni udhëtime për qëllime seksuale
Pikante

Kodi i ri Penal/ Burg nëse organizoni udhëtime për qëllime seksuale

30/01/2026
Shqiptarët më inteligjentët në Ballkan, renditemi të 19-ët në botë
Pikante

Shqiptarët më inteligjentët në Ballkan, renditemi të 19-ët në botë

18/01/2026
Bestytnitë më të çuditshme për një vit të ri të mbarë
Argjiro +

Bestytnitë më të çuditshme për një vit të ri të mbarë

01/01/2026

Argjiroja.net është një media online e pavarur, që informon me profesionalizëm dhe shpejtësi lexuesit. Në vëmendjen tonë të veçantë janë kryesisht ngjarjet në jug të Shqipërisë, por edhe zhvillime të tjera të rëndësishme brenda e jashtë vendit.
Argjiroja.net është pjesë e NaN Studio Sh.P.K me NIPT M02012001P

Për marketing dhe çdo informacion tjetër na shkruani në adresën [email protected]

Të fundit

Miley Cyrus kthehet me një homazh për Hannah Montana për 20 vjetorin: Do të jem gjithmonë pjesë e saj

Miley Cyrus kthehet me një homazh për Hannah Montana për 20 vjetorin: Do të jem gjithmonë pjesë e saj

18/02/2026
Champions, trajneri i Bodo/Glimit: Respekt për Interin, por do t’ua vështirësojmë jetën

Champions, trajneri i Bodo/Glimit: Respekt për Interin, por do t’ua vështirësojmë jetën

18/02/2026
  • Kryesore

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al

Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al