24 vite pritje për t’u rikthyer në Botëror. Më në fund, pas një periudhë të vështirë dhe një trazicioni të fortë, Turqia është rikthyer në nivele të larta, kjo falë një brezi të ri, të mbushur me talente si Arda Guler, Yldiz, por dhe lojtarë ekspert si Calhanoglu. Kosova është pengesa e tyre e fundit, një transfertë jo e lehtë, pasi përballë do të kenë një përfaqësuese të vogël, por me lojtarë që luajnë në nivele të larta. Për yllin e Real Madrid, Arda Guler, është koha që Turqia të rikthehet në Botëror:
“Objektivi ynë i vetëm dhe kryesor është të kualifikohemi në Kupën e Botës. Ne shpresojmë t’i bëjmë tifozët tanë të lumtur. Unë s’kam qenë as i lindur kur kemi marrë pjesë në Kupën e Botës për herë të fundit, por e di se sa i rëndësishëm është Botërori për vendin tonë. Pasi u eliminuam nga Evropiani, motivi ynë ishte një dhe i vetëm: të kualifikohemi në Kupën e Botës. Është ëndërr e jona”, u shpreh ylli i Real Madridit.
I vetmi shqetësim në radhët e Turqisë përpara sfidës me Kosovën është forma fizike e Hakan Calhanoglu. Regjisori turk doli i dëmtuar nga sfida e fundit përballë Rumanisë ku një shqetësim në pulpë nuk e lejoi të mbyllte ndeshjen. Gjendja e tij pritet të monitorohet në vijim.







