Qeveria do të shpallë datën 27 Nëntor ditë zie kombëtare. Kjo ditë do të mbahet mend gjatë në kujtesën e shqiptarëve, pasi mëngjesin e 26 nëntorit, vendi ynë u godit nga një tërmet i fuqishëm ku u shënuan së paku 20 viktima dhe mbi 600 të plagosur.
20 të vdekur, mbi 600 të plagosur, dhe dhjetëra të tjerë nën rrënoja, është ky bilanci i një ditë që do të mbahet mend gjatë si tragjedia e 26 nëntorit 2019. Epiqendra e tërmetit ishte qyteti i Durrësit, dhe konkretisht zona e Thumanës, ku ka patur 3 pallate të shembura, ndërkohë që problemet nuk mungojnë as në Fushë-Krujë, apo te Kavalishenca, ku mbeti i vdekur kryekomisari Bajram Hajdarmataj.
Gjithë shteti ndërkohë është në Durrës, ku po punohet për të shpëtuar jetët që ndodhen nën rrënoja. Ndërkohë, që edhe lëkundjet nuk kanë ndaluar. Herë pas here, me magnitudë shumë më të ulët dhe me fuqi më të vogël goditjeje, toka në Tiranë dhe Durrës vijon të dridhet.