Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi sot pas mbledhjes së qeverisë se ministria do të fillojë një program për depistimin e fëmijëve sa i përket shikimit. Ajo tha se janë rreth 270 mijë fëmijë të porsalindur deri në 14 vjeç që do të depistohen në lidhje me shikimin.
Manastirliu tha se fëmijët që do të hasen me problem me shikimin do të adresohen te mjekët përkatës për të korrigjuar problematikat, në mënyrë që të shmanget përkeqësimi i situatës apo humbja e shikimit prej të vegjëlve.
“Sot kemi miratuar paketën e Programit Kombëtar për Kujdesin e Shikimit të Fëmijëve. Ky program do të sigurojë kujdesin e shikimit të fëmijëve nga të porsalindurit deri ta ta të moshës 14 vjeçare. Është një depistim i kotrollit të shikimit për të gjithë fëmijët”, tha Manastirliu.
Ministrja tha se programi do të nisë pas trajnimit të mjekëve, mësuesve dhe ngritjes së infrastrukturës në shkolla.
“Programi do të jetë në tre etapa. Fillimisht një vlerësim të porsalindurit. Etapa e dytë do të jetë në vitin e dytë të jetës dhe etapa e tretë do të shtrihet në shkolla, ku mjekët e shkollave dhe ata të qendrave shëndëtesore do të vlerësojnë shikimin te fëmijët”, shtoi ajo.