Një ngjarje e rëndë është shënuar në Memaliaj në mesnatën e së shtunës, 20 korrik 2024. Tre persona kanë mbetur të vrarë në një lokal pranë godinës së bashkisë. Ndërkohë në spitalin e Gjirokastrës ka mbërritur dhe një person i plagosur, që dyshohet se ka qenë aty në momentin kur ndodhi vrasja. Viktimat janë Shyqo K. 74 vjeç, Marsel Ç, 47 vjeç dhe Gëzim M., 36 vjeç. I plagosur ka mbetur shtetasi Artur K., 57 vjeç. Siç thotë policia, makina e autorëve të dyshuar është djegur në fshatin Bejaj të Mallakastrës. Pas ngjarjes së rëndë ka nisur një operacion i gjerë në disa qarqe; Vlorë, Gjirokastër, Berat dhe Fier.
REAGIM ZYRTAR NGA POLICIA E SHTETIT PER NGJARJEN E RENDE
Memaliaj/Informacion paraprak
Rreth orës 23:20, në lagjen nr. 3, Memaliaj, në lokalin e shtetasit K. K., në rrethana ende të paqarta janë vrarë me armë zjarri shtetasit Shyqo K., 74 vjeç, Marsel C., 47 vjeç dhe Gëzim M., 36 vjeç si dhe ka mbetur i plagosur shtetasi Artur K., 57 vjeç, i cili është transportuar për në spital, për të marrë ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, Berat, Vlorë.
Në drejtim të Memaliajt janë nisur Forcat Speciale Renea, Forcat Kombëtare të Sigurisë si dhe drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Nderkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë dhe me ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale ku vijojnë punën në vendngjarje për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autorët menjëherë pas ngjarjes janë larguar me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës me një automjet të cilin dyshohet se e kanë djegur në fshatin Bejaj, Mallakastër. Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Renea kanë shkuar në vendin ku po digjet automjeti, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollin për kapjen e autorëve.
©ARGJIROJA.net