Policia ka marrë masat në kuadër të festave të 7-8 marsit për t’i paraprirë përhapjes së infektimit nga COVID-19 në respektimin e masave. Më telegramin e Veliut ka 6 porosi, ndër të cilat janë moslejimi i grumbullimeve në ambiente të mbyllura dhe të hapura, monitorimin e mbajtjes së detyruar të maskës, shtimin e kontrolleve në bare e restorante, ndërhyrjen për ndalimin e grumbullimeve më shumë se 10 persona apo kufizimin e lëvizjes jo të domosdoshme gjatë orës policore.
Po ashtu në 24 orët e fundit janë gjobitur 785 shtetas për mosmbajtje të maskës, 5 të tjerë për orën policore, 1 pronar lokali për shkelje të protokollit dhe një tjetër me 700 mijë lekë pasi shkeli rregullat e vetëkarantinimit.
Policia e Shtetit
Kontrolle të shtuara për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese anticovid, në kuadër të ditëve festive 7 dhe 8 Mars, me qëllim parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19 .
Në vijim të punës për përmbushjen e detyrave funksionale për garantimin e rendit dhe sigurisë, strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara maksimalisht dhe për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.
Në këtë kuadër, nisur dhe nga rastet e shkeljes së masave kufizuese të konstatuara nga shërbimet e Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nëpërmjet një telegrami, u ka kërkuar strukturave vendore të Policisë:
– Organizimin, planifikimin, instruktimin dhe drejtimin e shërbimeve për kontrollin e territorit, për monitorimin e situatës në territor, për të mos lejuar organizimin e grumbullimeve në vende të mbyllura dhe të hapura, gjatë ditëve festive 7 dhe 8 Mars 2021;
– Monitorimin e mbajtjes së detyruar të barrierës mbrojtëse (maskës) nga të gjithë qytetarët, gjatë qëndrimit apo lëvizjes në ambientet jashtë shtëpisë;
– Shtimin e kontrolleve në ambientet e lokaleve, bareve, restoranteve, duke njoftuar pronarët dhe administratorët për të mos organizuar apo lejuar grumbullime masive të qytetarëve gjatë festave të 7 dhe 8 Marsit;
– Ndërhyrjen për ndalimin e grumbullimeve më shumë se 10 persona në vende të mbyllura apo të hapura, për festime, mbledhje partiake, ceremoni fetare/martesore, konferenca apo tubime të ndryshme;
– Kufizimin/ndalimin e ushtrimit të aktivitetit të bareve, lokaleve, restoranteve, fast food-eve, nga ora 20:00 deri në orën 06:00;
– Kufizimin/ndalimin e lëvizjes së personave dhe automjeteve pa arsye të domosdoshme, nga ora 20:00 deri në orën 06:00;
Po në kuadër të punës për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese anticovid, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 792 shtetas, për moszbatimin e këtyre masave, konkretisht:
– Janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë, 785 shtetas, për mosvendosjen e maskës mbrojtëse;
– Është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë, pronari i një lokali që është konstatuar duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë;
– Janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë, 5 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur me këmbë, pas orarit të lejuar;
– Gjithashtu, në qarkun Dibër, është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, një shtetas që ka shkelur rregullat e vetëkarantinimit.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.