70 shqiptarë të Kosovës që jetonin prej vitesh në Turqi, kanë vdekur si pasojë e tërmetit katastrofik në Kahramanmaras të Turqisë dhe tre të tjerë në Hatay.
Lajmin e konfirmoi për KosovaPress, kryetari i shoqatës së Kulturës dhe Solidaritetit të Shqiptarëve, Evren Kaya. Sipas tij, deri tani vetëm një familje shqiptare është nxjerrë nga e gjallë nga gërmadhat. Kaya konfirmoi numrin e viktimave dhe tregon se janë duke marrë ndihma prej disa vendeve për të ndihmuar këtë komunitet në Turqi.
“Tani në Kahramanmaras 70 persona kanë vdekur. Edhe në Hatay, tre shqiptarë kanë humbur jetën. I kam parë në Facebook edhe atë çfarë kam dëgjuar po ju tregoj… Tani për ushqim nuk është problem, por për t’u ngrohur duhet ndihmë se është shumë ftohtë shumë. Ngrohëset po i dërgon shteti nga mundet”.
Shumë nga shqiptarët e Kosovës që jetojnë në vendet e prekura nga tërmeti kanë frikë të rikthehen në shtëpitë e tyre. Evren Kaya tha se nuk kanë marrë mbështetje nga qeveria e Kosovës dhe se janë lënë vetëm.
Kaya: Ambasada neve nuk na ka kërkuar asnjë informacion. Asnjë telefonatë nuk ka ardhur nga Kosova. S’e di nëse ambasadori ndodhet këtu vetëm për karrigen e tij. Ky ambasador nuk ka kontaktuar fare me mua, vetëm Avni Spahiu, Bekim Sejdiu, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxherri dhe të gjithë ata që janë kryetarë bashkie”,
Më tej, Kaya shtoi se deri më tani vetëm një familje shqiptare prej 4 anëtarësh është nxjerrë e gjallë nga gërmadhat. Nga tërmeti prej 7,7 ballësh në Turqi deri më tani kanë humbur jetën mijëra persona./KosovaPress