Në mbledhjen e Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit në Kuvend, deputetët e opozitës kanë debatuar me zv.ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhembulla teksa po diskutohej për projektin “Mjedis i pastër dhe me aftësi ripërtëritëse, Deti Blu”, projekt që prek bashkitë përgjatë lumit Vjosa. Xhelal Mziu ka ngritur pretendimet se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit bën dallime krahinore në shpërndarjen e projekteve dhe fondeve, duke e lidhur këtë sipas tij me faktin që ministrja Mirela Kumbaro e ka qarkun Gjirokastër zonën e saj elektorale.
“Në çdo projekt që vjen nga kjo ministri ndodh diskriminim krahinor. Trajtohet vetëm një qark. Pse nuk është Drini lum i egër?”, tha deputeti i PD, Xhelal Mziu.
Edhe kolegu i tij Lefter Gështenja ngriti pretendime se 75 milionë euro të këtij projekti janë të dedikuara për trajtimin e ujërave të zeza të qarkut Gjirokastër.
“Unë nuk e di që Gjirokastra ka det. Kjo marrëveshje është për qarkun e Gjirokastrës. Këtë duhet ta thoni pa ndrojtje. Kjo marrëveshje është në funksion të deputetës e ministres, Mirela Kumbaro. 75 milionë euro që i shkojnë qarkut Gjirokastër. Ç’a lidhje ka deti blu këtu? Po si ka mundësi që harxhoni 15 milionë euro për konsultime publike? Shifrat që ju prezantoni janë të frikshme për një qark ”, deklaroi deputeti Lefter Gështenja.
Zv.ministrja Almira Xhambulla ndërkohë në përgjigje të këtyre reagimeve ka thënë se ka pasur proporcionalitet në ndarjen e zërave të buxhetit dhe kurrsesi jo dallime krahinore. Sipas saj edhe donatorët e këtyre projekteve zakonisht punojnë me prioritete.
“Qeveria shqiptare paralelisht me punën që është bërë për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar, e njëjta punë është bërë edhe për zgjerimin e Parkut të Alpeve, mbështetjen për agroturizmin etj. Mendoj që ka pasur shpërndarje gjeografike të mirë. Shpesh herë edhe interesi i donatorëve lidhet edhe me efektin dhe kërkesën e turistëve në zona të caktuara. Patjetër që zona si pjesë e UNESCO-s kanë prioritet nga donatorët. Kemi qenë gjithëpërfshirës”, tha Xhembulla teksa solli në vëmendje edhe një projekt të mbështetur nga KFW, prej të cilit përfitojnë qarqe si Dibra, Tirana, Durrës, Korçë e Berat. Debati i plotë në videon më poshtë. ©Argjiroja.net