Rreth 80 milionë lekë të vjetra ishin parashikuar të shpenzoheshin për rikonstruksionin e ambienteve të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Gjirokastër, institucion i cili s’e ka një drejtues që prej fillimit të muajit dhjetor kur Edi Pesha u largua për tek Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrrugor. Por investimi nuk do të kryhet, të paktën deri më tani.
Më 31 dhjetor është njoftuar anulimi i procedurës së prokurimit publik, për tre arsye. Së pari sepse pas tërmetit kishte dalë një VKM që ndalonte prokurimet publike pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore të krijuar nga tërmeti. Së dyti sepse kompania e shpallur fituese në vend të parë është përjashtuar nga pjesëmarrja nëpër tendera për një vit.
Së treti sepse autoriteti kontraktor nuk mund të përzgjedh ofertuesin e renditur i dyti në listën e ofertave të kualifikuara sepse diferenca ndërmjet ofertës së kualifikuar në vendin e parë dhe të dytë është më e madhe se 2 për qind e fondit limit. Mbetet për t’u parë nëse ky tender do të bëhet apo jo gjatë vitit 2020 apo paratë do të shkojnë diku tjetër.
©argjiroja.net