Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë denoncimet e para për përdorimin e administratës në fushatë zgjedhore. KQZ bën të ditur se ka marrë dy kallëzime për deputetin e Lushnjës, Bujar Çela dhe drejtorin e Kadastrës së Lushnjës, Arben Qalliu. Bujar Çela dhe Arben Qalliu kanë shpërndarë certifikata pronësie një ditë para Vitit të Ri. Denoncimi sipas KQZ-së ka ardhur për shkak të postimit të fotografive në llogaritë e Facebook.
Për këtë arsye KQZ ka nisur procedurën administrative fillimisht ndaj drejtorit të Kadastrës së Lushnjës, i cili do të thërritet për të dhënë shpjegime pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shkeljen e vendimit nr.9, që ndalon përdorimin e administratës publike në fushatë elektorale.
“Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, janë raportuar dy denocime në ndërfaqen e “Aktiviteteve të Ndaluara”, në rubrikën “Kallëzo”, për veprimtaritë e deputetit të PS, Qarku Fier, z. Bujar Çela, i cili ka publikuar në llogarinë e tij personale në Facebook disa foto me qytetarë të ndryshëm duke shpërndarë leje legalizimi të shtëpive të tyre në Njësinë Administrative Hyzgjokaj.
Bazuar në denoncimet e raportuara, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, ditën e hënë, më datë 11.01.2021, ora 12:00, zhvillon seancën dëgjimore për shkelje të parashikuara në vendimin nr. 9, datë 24.12.2020 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me
Arben Qalliu, Drejtor i Drejtorisë Vendore i A.SH.K Lushnjë.
Bazuar në nenin 47 dhe 87 të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative”, z. Qalliu ka të drejtën të paraqitet vetë ose me mbrojtës ligjor për të dhënë shpjegimet e tij, ditën e hënë, më datë 11.01.2021, në adresë Rr.Ibrahim Rugova, nr.4, Tiranë”, thuhet në vendimin e KQZ-së. Në faqen zyrtare të deputetit të PS-së, janë postuar disa albume fotografike me urimin për Vitin e Ri.
Ndërkohë që më datë 28 dhjetor 2020, deputeti i PS-së shkruan se: “Këto dite te fund vitit po i shfrytëzojmë ne maksimum per te sjelle sado pak gezim ne keto familje punetore, qe nje pjese te konsiderueshme te kursimeve te tyre i kane hedhur ne keto banesa.
Sot isha ne Njesine Administrative Hyzgjokaj ku preka nga afer punen e tyre te materializuar ne kapital.PUNA VAZHDON.Pune -Vizion –Durim”.