Republikanë me peshë në Kongres po shprehin mbështetje për procesin për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Trump. Gazeta New York Times njofton se udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell u tha ndihmësve të tij se beson që Presidenti Trump ka kryer akte që meritojnë ngritjen e akuzave. Gazeta citon individë të afërt me të.
Ndërkaq tre ligjvënës republikanë kanë bashkuar zërat me kolegët demokratë duke deklaruar se do të votojnë për ngritjen e akuzave për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Trump. Liz Cheney, republikania e tretë më e rëndësishme në Dhomën e Përfaqësuesve, tha të martën përmes një deklarate se “Do të votoj për të ngritur akuza për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Donald Trump”. Zonja Cheney nënvizon në deklaratë se presidenti “mblodhi turmën dhe ndezi flakën e sulmit” ndaj Kapitolit më 6 janar.
Liz Cheney, vajza e ish-nënpresidentit Dick Cheney, kryeson Konferencën republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, struktura që zgjedh udhëheqësit republikanë në këtë dhomë./ VOA









