Një automjet i OSHEE-së është rrëzuar në lumin Drino përballë fshatit Lazarat në Gjirokastër, ku dyshohet se dy elektriçistë kanë humbur jetën. Mësohet se këta të fundit kanë qenë duke inspektuar në zonën lindore të luginës, pasi kishte avari në linjat e përcjelljes së rrymës elektrike. Avaria është konstatuar në fshatin “Asim Zenelaj” dhe për këtë qëllim kanë shkuar për të ndërhyrë dy elektriçistët, Selfo Kallfa dhe Ismet Isaraj. Si pasojë e terrenit të keq dhe errësirës, mjeti me të cilin lëviznin dy punonjësit e OSHEE, ka rënë në rrjedhën e lumit në thellësi, ndërkohë që dy elektriçistët nuk kanë mundur dot të dalin.
Policia e Gjirokastrës ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar pak pasi trupat e pajetë të elektricistëve Selfo Kallfa dhe Ismet Isaraj u nxorrën nga ujërat e lumit Drino.
Gjirokastër/Informacion paraprak/ Rreth orës 00:30, në shtratin e lumit Drino, një automjet të OSHEE-së, në përpjekje për të kaluar lumin, e ka marrë rrjedha e lumit dhe për pasojë kanë humbur jetën dy elektricistët që ndodheshin në mjet, shtetasit I. I., 64 vjeç dhe S. K., 52 vjeç banues në Gjirokastër. Trupat e të dy shtetasve u nxorën nga polumbarët e RENEA-s. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.