Partia Demokratike ka bërë një ndryshim në minutën e fundit në listën e saj të kandidatëve për deputetë. Burime të ‘Panorama’ bëjnë me dije se është vendosur që në garën e deputetëve të rikthehet emri i demokratit, Luçiano Boçi. Ky i fundit do të kandidate sërish me siglën e Partisë Demokratike ne qarkun e Elbasanit. Emri i Luçiano Boçit kishte mbetur jashtë listës së PD në Qarkun e Elbasanit dhe nuk figuronte në listat paraprake.
Gjatë shqyrtimit të fundit të kandidaturave është vendosur që Luçiano Boçi të vendoset sërish në listë, duke u caktuar si i 7-ti në qarkun e Elbasanit. Mësohet se posti i ofruar për demokratin ka ngjallur pakënaqësi tek ky i fundit, por që ka vendosur ta pranojë të garojë në zgjedhjet e 25 prillit.
Edhe Partia Socialiste bëri ndryshime të momenteve të fundit. Bie në sy zhvendosja e Olta Xhaçkës nga Qarku i Dibrës, ku ajo ishte drejtuese politike në këtë qark, duke u transferuar në Korçë.
Në listën e kandidatëve për deputetë kandidon Blerina Gjylameti në Korçë, ndërkohë që ajo po punonte në zonën e Astirit në Tiranë. Eduard Shalsi, nga Korça ka ardhur në Tiranë, ndërsa Ermonela Felaj nga Qarku i Beratit është në listën e Tiranës. Petro Koçi, zv.ministër i Mbrojtjes, është i dyti i listës së Fierit, e cila kryesohet nga zv.kryeministri Erion Braçe. Gramoz Ruçi është i 10-ti i listës së Fierit, ndërsa Kryeministri Rama do të kandidojë i 8-ti në Qarkun e Vlorës dhe atë të Durrësit.
Por në listat e PS-së bie në sy edhe përfshirja e disa prej deputetëve aktualë të opozitës, duke filluar nga Halit Valteri në Qarkun e Tiranës, apo Nimet Musai, i fundit i Qarkut të Fierit, po ashtu dhe Klajdi Qamës, ish-deputeti i LSI në Berat, apo Aurora Marës, ish-deputete e LSI ne Bulqizë.
Në listën e ish-ve të LSI bie ne sy dhe emri i Ylli Shehut, i cili kandidon me siglën e PS në Qarkun e Tiranës, me numrin 24 ne listë! Në qarkun e Elbasanit PS ka ‘rekrutuar’ Enver Roshin e larguar në LSI, duke e kandiduar atë si të 10-tin në listë.
Ish-ministrat e LSI-së, Nasip Naço dhe Lefter Koka, janë në pozita fituese në listat e Beratit dhe Durrësit, ndërsa edhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrise se Mjedisit, Alqi Bllako, është i 11-ti në listën e Tiranës.