Trajneri i Shqipërisë, Edy Reja ka dalë sot para mediave dhe i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për duelin me anglezët dhe tema të tjera.
“Sigurisht, Anglia është një skuadër shumë e fortë. Nuk ka diskutim. Ka një grup t rinjsh shumë cilësor, Ata po përgatiten edhe për Europianin dhe po përgatiten shumë mirë. Kane është e tashmja dhe ka shumë cilësi, Foden dhe Mount janë të rinj dhe kanë mundësi për t’u rritur dhe të tregojnë aftësitë e tyre në të ardhmen. Kane është lojtari më i rrezikshëm që ka Anglia në këto momente.
Motivimi është i madh për këtë ndeshje sepse përballë është një nga skuadrat më të forta në Europë. Më shumë është çështje tensioni dhe pjekurie. Duhet shumë kujdes, Anglia ka të rinj të shpejtë, agresivë dhe teknikë dhe duhet t’i lëmë sa më pak hapësira e të jemi sa më të qetë.
Broja titullar? Për mua të gjithë janë njësoj si Broja, apo të tjerët. Para ndeshjes do marrim vesh kush do luajë nga minuta e parë. Është edhe Cikalleshi e Manaj. Do e shohim. Ka mundësi ta nisë nga fillimi sepse e njeh Anglinë, por ende nuk kemi vendosur se kush do jetë nesër nga minuta e parë.
Kemi zgjidhje të tjera përveç Kumbullës, Ismajli, Gjimshiti dhe Veseli ka luajtur mirë kohët e fundit dhe mund ta aktivizojmë në qendër, ku ka luajtur edhe te Salernitana dhe mund ta aktivizojmë. Në zemër të zonës, aty luan edhe Kane, Gjimshiti është më i duhuri dhe ka staturën e duhur për të përballuar një sulmues të tillë.
Nuk kemi problem alternativash në mbrojtje. Më vjen keq për Kumbullën sepse po luante mirë edhe me Romën dhe për shkak të këtij shqetësimi pas konsultës u vendos të mos e rrezikojmë për këto dy ndeshje. Anglia shënoi 5 gola me San Marinon dhe nuk është surprizë.
Me ta duhet të jemi shumë të zotë faktikisht, por nuk mund të rrimë 90 minuta në mbrojtje, duhet t’i mbajmë në tension gjatë gjithë kohës dhe kemi lojtarët e duhur për ta bërë këtë. Kemi respekt për Anglinë, por duam të marrim rezultat pozitiv”, tha Reja.