Kritikët e Lulzim Bashës që ishin në pritje të një dorëheqje të tij si kryetar i PD-së pasi nuk mundi ta sillte në pushtet partinë as në këto zgjedhje do të mbeten të zhgënjyer. Me drejtuesit politik të PD në qarqe përkrah dhe dhjetëra të rinj mbështetës të PD, Lulzim Basha tha se për PD beteja sapo ka filluar.
Ai që mendon se do të dorëzohemi, tha Basha duke nënkuptuar kundërshtarin e tij politik, nuk na njeh mirë.
Lulzim Basha: Ne jemi më të vendosur se kurrë, kushdo që mendon se do të dorëzohemi nuk na njeh mirë. Ne do ta vazhdojmë betejën me gjithë fuqinë tonë, do të vazhdojmë të luftojmë me gjithçka për demokracinë, ne do të vazhdojmë të luftojmë deri në fitore se misioni jonë është më i madh se gjithë ne. Po u dorëzuam ne Shqipëria nuk ka asnjë mundësi dhe kjo nuk do të ndodhë kurrë.
Basha falenderoi mbi 600 mijë qytetarë shqiptarë që besuan me votën e tyre te ndryshimi.
Lulzim Basha: Mbi 600 mijë shqiptarë votuan për ne dhe sollën për shpresë për Shqipërinë, të rinj dhe të reja, burra dhe gra, të moshuar nga gjithë vendi. Ju falenderoj nga zemra për mbështetjen tuaj të mrekullueshme, faleminderit për besimin tuaj dhe ju premtoj sot se ne nuk do t’ju zhgënjejmë kurrë. Ne do të luftojmë për ju, do të luftojmë për qindra mijëra qytetarë që votuan për ne dhe për ata të cilëve nuk ju numërua vota. Zëri juaj do të dëgjohet qartë dhe fort. Kjo është përgjegjësia ime, është detyrimi që kam para jush, para shqiptarëve dhe para Shqipërisë.
Pas një rikuperimi dukshëm nga zgjedhjet e 2017, për Lulzim Bashën tashmë rruga është e shtruar për të shkuar drejt fitores.
Lulzim Basha: Nata që ka rënë sonte njësoj si hijet që aviten në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve do të davaritet, dielli do të ngrihet përsëri nesër mbi horizont, dielli i shpresës për Shqipërinë. Fryma e ndryshimit që të gjithë së bashku sollëm anembanë vendit është më e thellë se kurrë. Ne jemi më të fortë dhe më të vendosur se kurrë dhe të fortë do të luftojmë çdo ditë, çdo natë, çdo orë, çdo çast për të mbrojtur demokracinë dhe për të sjellë bashkë një atë ardhme më të mirë për vendin tonë, për familjet tona, për fëmijët tanë. Beteja vetëm ka filluar dhe ne do ta çojmë deri në fund, deri në fitore. Demokracia do të fitojë dhe Shqipëria do të fitojë.
Në fund edhe një falenderim për këdo që besoi te oferta e tij dhe opozitës, aleatët dhe të gjithë bashkëpunëtorët.
Lulzim Basha: Dua t’ju falenderoj të gjithë ju vëllezër dhe motra, shqiptare dhe shqiptarë kudo që ndodheni, anëtarët dhe mbështetësit tanë, ekipin tonë të mrekullueshëm dhe aleatët tanë të koalicionet, komisionerët, numëruesit, vëzhguesit dhe vullnetarët e panumërt për angazhimin e tyre të pashembullt.