Biznesmeni kosovar, Krenar Çoçaj, i njohur edhe për lidhjen me prezantuesen Luana Vjollca u përfshi në një sherr me njeriun që e përndiqte prej kohësh të dashurën e tij. Besmir Lila nga Tepelena, kishte kohë që e ndiqte Luanën dhe për këtë shkak biznesmeni ka shkuar të shoqëronte mikeshën e tij gjatë largimit nga ambientet e punës, ditën kur ndodhi sherri. Në lidhje me grushtimin e Lilës, Çoçaj ka sqaruar se ka reaguar, pasi është qëlluar prej tij dhe për ta penguar që mos të nxirrte ndonjë armë nga çanta e tij.
DESHMIA E ÇOÇAJT
Sipas materialit kallëzues, Oficeri i Policisë Gjyqësore, ka pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasin Krenar Çoçaj, i cili ka shpjeguar se ishte i lidhur prej dy vjetësh me shtetasen Luana Vjollca, e cila punonte në TCH.
Kësaj shtetaseje, prej dhjetorit 2016, e përndiqte një person, i cili i shkruante vazhdimisht dhe e ndiqte atë nga pas ku ajo shkonte, shkak për të cilin ajo ka qenë e shqetësuar.
Për këtë arsye ai ka shkuar për ta shoqëruar atë ditë nga puna. Më tej, sipas deklaruesit, ndërsa po ktheheshin në Tiranë, secili në makinën e tij, tek Unaza e Re ka parë që Luanën e ndiqte një mjet, që tentonte t’i dilte para.
Në një moment Luana e ka telefonuar duke i thënë “ky psikopati më është ngjitur me makinë nga pas”. Më pas, sipas deklaruesit, ndërsa po afroheshin te mbikalimi, ku kishte trafik, ka parë këtë person, që ka zbritur nga makina e tij dhe është afruar te makina e Luanës.
Deklaruesi pohoi se ka shkuar aty duke i thënë “çfarë don ti me gruan time”, ndërkohë që ky person e ka kërcënuar se do ta vriste dhe tentonte ta fuste dorën në një çantë që kishte në krah. Pas kësaj, sipas deklaruesit, ky person e ka goditur me grusht, gjë të cilën e ka bërë dhe ai, pasi nuk mund ta linte të nxirrte ndonjë armë, ndërkohë që pas kësaj aty ka mbërritur Policia./ Panorama