Duke nisur me trajnerin Ernest Gjoka që kur përfundoi sezonin me humbjen në Gjirokastër, në ambientet e klubit verilindor u përfol për një largim të mundshëm të 46-vjeçarit, por ishte vetë presidenti Safet Gjici që tha se tekniku do qëndronte për Kupat e Europës dhe kalimi apo moskalimi i turit në Ligën e Kampioneve do ishte barometri. Dhe nga ajo do vendosej ofrimi i një kontrate të re ose jo.
Nisur nga ky kusht, trajneri e humbi “bastin” me numrin një të klubit dhe për këtë arsye vendi i tij është mjaft i diskutueshëm. Nga ana tjetër, zgjedhje e parë për Kukësin është trajneri i Luftëtarit, Mladen Milinkoviç, i cili është një dëshirë e hershme e presidentit Gjici, madje ky i fundit i ka bërë dhe komplimente direkte në një studio televizive kohë më parë.
Por, ngërçi me të qëndron te kontrata që ai ka me Luftëtarin. Gjithsesi, duket se palët kanë rënë dakord në parim dhe serbi është mbrapa dere te Kukësi. I dyti në listë është Skënder Gega. Java tjetër do të jetë vendimtare për fatin e trajnerit.
SITUATA
Ylli Shameti ka marrë një ofertë nga Visla Krakova. Në fillim ishte thjesht interesim, por menaxherët e klubit polak kanë ndjekur nga afër edhe në “Elbasan Arena” qendërmbrojtësin gjirokastrit të Kukësit dhe janë bindur plotësisht për cilësinë e tij, ndaj për shtatlartin ka ardhur ofertë konkrete. Nëse palët nuk bien dakord dhe mbrojtësi nuk transferohet jashtë vendit, atëherë zgjedhja e parë në Shqipëri për Shametin do jetë Kukësi.
Izair Emini ka udhëtuar pranë familjes në Tetovë, por një arsye tjetër është edhe biseda nga afër me drejtues të Shkëndijës, të cilët kanë shprehur interes konkret për shërbimet e tij dhe i kanë kërkuar ta takojnë nga afër sulmuesin. Palët janë në bisedime intensive dhe mësohet se i ndajnë vetëm detajet. Emini ka oferta edhe nga Flamurtari e Partizani në Shqipëri.
Pero Pejiç, menjëherë mbas ndeshjes me Sherifin në Elbasan, disa orë më vonë ka udhëtuar drejt Kroacisë. Ai ka thënë se është i gatshëm të qëndrojë te verilindorët. Besar Musollit i ka përfunduar kontrata, por mesfushori njihet si një nga njerëzit më besnikë të Kukësit dhe presidentit Gjici, pa harruar cilësitë e tij mjaft të mira si futbollist, ndaj e bëjnë atë një lojtar kyç te Kukësi. Pritet që palët të merren vesh për detajet dhe 28-vjeçari të qëndrojë te verilindorët.
Zhan Karioka ka disa oferta në Shqipëri dhe jashtë saj, Partizani dhe Skënderbeu janë sy e vesh nga Kukësi për të. Nijas Lena, shqiptari i Maqedonisë ka fituar mjaft respekt në radhët e Kukësit dhe palët pritet të negociojnë për në vijim./panoramasport