Partia Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese padinë për shfuqizimin e ligjit të miratuar nga qeveria qe jep me koncension Parkun e Butrintit. Deputetja Ina Zhupa teksa bëri me dije se padia është firmosur nga 36 deptuetë të opozitës, denoncoi praktikat që janë ndjekur për dhënien e këtij koncensioni, si dhe hodhi akuza në drejtim të anëtarit të bordit drejtues Richard Hodges.
36 deputetë të opozitës kanë dorëzuar këtë fillim javë në Gjykatën Kushteteuese padinë ndaj koncensionit të Parkut të Butrintit.
Pas dorëzimit të padisë, deputetja demokrate Ina Zhupa e cilësoi këtë koncesion në dëm të trashëgimisë kulturore e historike të Shqipërisë.
“Duke qenë se çështja është me shumë rëndësi ne kemi ardhur me 36 firma deputetësh, nga të cilat 32 janë të PD, 3 të PL dhe një është deputeti Dashamir Shehu. Kemi ardhur të bashkuar në këtë kauzë sepse është një kauzë që lidhet me identitetin shqiptar, me trashëgiminë kulturore, që lidhet me vjedhjen e asaj që është pasuria e përbashkët publike”.
Ina zhupa denoncoi praktikat që janë ndjekur për dhënien e këtij koncensioni.
“Së pari, është shkelur neni tre i Kushtetutës, është shkelur Konventa e Parisit. Fondacioni nuk ekziston as ligjërisht në rregull me letrat që kërkon shteti. Nga ana tjetër kemi evidentuar shkeljen tjetër të Kushtetutës, heqjen e auditimit nga KLSH”.
Zhupa hodhi akuza edhe në drejtim të anëtarit të bordi drejtues, Richard Hodges.
“Pjesë e bordit ekzekutiv është antishqiptari Richard Hodges i cili me deklaratat që ju keni transmetuar, dëmton atë që është pasuria e shqiptarëve, atë që është identiteti i shqiptarëve pasi e quan Butrintin vend grek, shqiptarët i quan të ardhur në vitin 1913”, tha Zhupa.
Sipas Deputetes Ina Zhupa me këtë padi kundër këtij koncensioni do të fitojnë qytetarët shqiptarë.