Pa kurajo të tregojë përplasjet e brendshme dhe e zhgënjyer për moskandidimin, kryebashkiakja e Delvinës, Majlinda Qilimi ka reguar pas vendimit të Kryesisë së PS. Ajo thjesht falenderon PS-në dhe Edi Ramën për mundësinë që i dhanë për të qenë në krye të Delvinës gjatë mandatit të parë, si dhe i uron suksese kandidatit të ri. Më poshtë deklarata e plotë e Qilimit.
“Të dashur bashkëqytetarë!
Të dashur miq!
Permes këtij statusi dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë e njëkohësisht të falenderoj Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj Z. Edi Rama për mundësinë që më dhanë per të qenë në krye e për t’u shërbyer banorëve të bashkisë Delvinë pergjatë këtij mandati!
Ka qenë një rrugëtim i ri për mua, një rrugëtim plot sfida e të papritura të cilat në bashkëpunim me faktorët qëndrorë e lokalë i kemi kapercyer me sukses.
Parimi i punës sime ka qenë shërbimi me përkushtim, ndershmëri, thjeshtësi e devotshmëri për të sjellë ndyshim e frymë qytetarie, duke u përpjekur e shfrytëzuar çdo mundësi që çon në përmirësimin e jetës së çdo banori në komunitet e duke mos nënvlerësuar për asnjë çast besimin e dhënë nga Partia Socialiste.
Dëshiroj përzemërsisht t’i uroj suksese kandidatit të ri dhe njëkohësisht të shpreh besimin e plotë e të palëkundur se kandidatura e përzgjedhur nga familja jonë politike, do të vijojë të kryejë të tjera punë të mira për komunitetin duke sjellë risi, zhvillim e prosperitet në të gjitha fushat. Suksese Besmir Veli! Suksese Partia Socialiste Delvine! Sërish, të gjithë së bashku do t’ia dalim!”, shkruan Qilimi.