Është një nga të pathënat e mia si qytetar e profesionist gjatë gjysëm shekulli, në media. Se në këtë botë, njeriu nuk i thënkërka dot të gjitha. Aq më tepër publikisht . I merr me vete edhe në banesën e fundit ! Dhe nuk miklohet e joshet as kur vjen një moshë që “ia bëjnë matanë me sy” të shumtit si në Sharrë, Shishtufinë e gjetkë. Në rastin konkret, mendova gjatë dhe u binda se duhet të rrëfej dicka pa filtër, duke ua hequr dushkun fjalëve. Qoftë edhe në vend të një ndjese njerëzore. Por edhe si detyrim moral jo i vockël. Megjithëse mjaft miq të mi, shpesh më bënin gati të njëjtën “vërejtje” pas botimit të shkrimeve:”Je më i sinqertë sec duhet”…Madje, po të ishte gjallë im atë, me siguri nuk do më linte ta dërgoja për botim. Ai nuk kërkoi kurrë në jetën e tij në Tepelenë, as me gojë e as me shkrim, që babai t’i bëhej Dëshmor i Atdheut, si i vetmi burrë që e torturuan, e masakruan me bajonetë, e pushkatuan dhe e hodhën nga gremina mbi Buzën e Savës përballë Sajmolës ku më vonë do të preheshin edhe ushtarë e gjeneralë të Ushtrive të Vdekura (greke e italiane). Ishte ajo Luftë e cuditëshme dhe plot hije të rënda midis dy shteteve dhe që u zhvillua paradoksalisht e përfundoi tragjikisht edhe mbi trupin e malit Golik. Pushtimi tjetër i egër nazist, e që në ditët e sotme ca kalemxhinj aguridhe e karavidhe guxuan idiotësisht ta quajnë “kalimtar të pafajshëm”(!) apo që kanë vrarë “vetëm 4-5 partizanë rebelë gjithsej”(sic tha ligësisht këtu në Tiranë një historian akshami i përgjëruar e i shkalluar nga Mitrovica dhe kolegu ynë intervistues…kyci gojën !). Dhe hodhi pas krahëve Betejën deri trup me trup, në Tendën e Qypit ku pikon ende gjak të nxehtë fyti i borizanit legjendar Haki nga Mallakastra a në Qafën e Gjarprit; Gjakun e patharë të Borovës martire, ku pas shumë viteve një diplomat gjerman i kulturuar kërkoi ndjesë për atë masakër; “harroi” dhjetra jetët partizane në luftën për clirimin me cdo kusht të Kryeqytetit, Tiranës sonë etj. etj.Shërbëtorët e tyre kërthinj ballisto-zogistë fërkuan barkun dhe duart e pista në Pluralizëm, duke shpërdoruar e plagosur dukshëm Lirinë e Fjalës…
Babai ynë nuk kërkoi asnjë lloj dëmshpërblimi moral e financiar për të atin dhe sa qe gjallë as për veten si Antifashist i orëve të para, burgosur në Kalanë e Gjirokastrës, dënuar e internuar në Shëngjin të Lezhës (Maj 1939, 32 ditë pas Pushtimit). As ai shpërblimi simbolik i Veteranit nuk iu dha kurrë (!). Dhe nuk tundi e shkundi ndonjë zyrë partie e pushteti. Ndershmërinë dhe modestinë e tij proverbiale, Tepelena e djemve të sotëm levendë ia vlerësoi e nderoi me titullin më të lartë, para 10 viteve ! Dhe shumë kohë pasi erdhi vdekja e papritur në Tiranë. Pak pasi ishte takuar për herë të fundit me nënë Sherinën e dashur, të jëmën e Myftarit të vetëm, shokut besnik të fëmijërisë e të rinisë në Luftë e në Punë. I vetmi takim jo i zakonshëm, pas transferimit dhe emërimit me punë të vëllait në Tiranë. U nis plot ankth dhe u kthye i “cliruar”. Nuk u mësua asnjë hollësi gjer më sot nga ajo bisedë kokë më kokë me plakën e zgjuar dhe emblemë e paprekshme dhembshurie, dashurie e bese pa kushte. Babai dhe nënë Sherina Laze,i morën me vete në atë botë…
Kur dola në punë si Gazetar Profesionist, babai asnjëherë nuk më pyeti “pse s’thua dy fjalë për Gjyshin që i mban emrin ?”. Edhe sikur të vendosja ta bëja, nuk mund të realizohej kurrsesi në media: Një nga porositë e prera nga “lart” ishte të mos shkruanim asgjë për familjen e fisin. E theksoj, asgjë ! Unë dhe kolegët e mi e zbatuam me fanatizëm atë Urdhër në monizëm. Por rastësisht dëgjova se një bashkëfshatari ynë, Koco Marto, dërgonte herë pas here letra gjer në majat e pushtetit lokal e qëndror të kohës, ku propozonte që Gjyshi im të shpallej “Dëshmor i Atdheut”, si i vetmi i pushkatuar gjatë Operacionit Armik të Dimrit, nga 34 peshtanakë që arrestuan pabesisht nazistët gjermanë dhe shërbëtorët e tyre faqezinj në fundjanarin e 1944-ës. Rrodhë shumë e shumë ujëra. Në vigjilje të Pluralizmit Politik, kur sapo isha rikthyer pas gati 15 viteve në metropol, në Redaksinë e “Bashkimit” trokiti një ish ushtarak, Kryetar i Komitetit të Veteranëve të rrethit të Tepelenës, Shyqo Shehu. Bëri ca “kritika” antiindiferentizëm për mua e vëllanë dhe më kërkoi me këmbëngulje t’i siguroja nja dy dokumente e t’ia nisja sa më shpejt në qytetin e erërave shekullore buzë Vjosës. Pas një debati miqësor me kundërshtime në zyrën e gazetës e në sy të kolegëve redaktorë, më në fund i premtova ! Dhe zbritëm te Klubi i Gazetarëve në katin e parë. Pak caste para se ta përcillja te Stacioni i trenit, i theksova një porosi-postulat të babait:”-Biografinë bëjeni vetë, bëjeni me djersën tuaj të ballit, jo si ata që kanë “dajko kralin”… Por premtimi mbeti. Shyqo Shehut serioz, nuk ia mbajta fjalën e dhënë për dokumentet. I kërkoja ndjesë për zvarritjen, sa herë më merrte në telefon. Në fund ma plasi:”-Ju qofshi që nuk interesoheni fare për veten dhe bëni shumë për botën ! Të tjerët c’nuk kullandrisin për të fituar atë Status të shenjtë…”. Kaq tha për herë të fundit. Një ditë ai mbylli sytë përgjithmonë. Dhe kokëfortësia ime e sinqertë filloi të lëkundej e zbutej pak nga pak. Sidomos kur mora vesh se bashkëfshatari ynë, ish partizani e njeriu i kulluar idealist, Vangjel Vllaho me shokë, kishin kërkuar me shkrim (kopjet e letrave origjinale i ruaj ende). Mirëpo, caditë para se të largohej nga jeta, më dha dy letra me shkrimin e tij (si amanet i patretur), se c’përpjekje kish bërë deri atëhere. Nuk ndahej nga unë pa dëgjuar premtimin tim për dokumentet e Gjyshit. Ky do ishte edhe takimi i fundit te bar-restorant “Vjosa”, te 21 Dhjetori. Edhe atë premtim e “shkela” !… Shkakun e vërtetë nuk e thashë nëpër vite. As Vangjelit që më kujtoi edhe në orët shteruese të jetës , gjatë bisedave të shkurtra në telefon. Madje Vitoria mbrezhanake, bashkëshortja e tij, ma kujtonte e nxiste vazhdimisht deri vitin e kaluar. “Dëgjo mua, Vangjeli e kishte shumë merak, mos e neglizho”. Po kështu një ish koleg i vjetër i “Bashkimit”, më ngacmonte jo pa humor :”Mos ke vendosur të veprosh si miku yt i halleve e derteve që nga shkolla e mesme, Filip Cakuli ? Kur u rikthye në gazetë nga Divjaka, pas dënimit të pamerituar nga helmi i letrave anonime të ardhura që nga Saranda(vec të tjerave, i nxirrnin qorrazi edhe gjyshin të “deklasuar” !), si gjithmonë, filloi të tallej sic di ai nëpër redaksi e jashtë saj : -Kam hapur gjyq, nuk bëj shaka…Vendosa me shumë dhimbje, sot e tutje do adaptoj gjysh shokun Bektash, komunisti më i vjetër në gazetë ! Kemi rënë dakord. Do më zbardhet biografia, se boll ma nxinë”. Kur i kujtojmë, qeshim ende edhe sot…
Vitet rrokulliseshin. Në 2014, pas një ceremonie zyrtare për 75 vjetorin e Grevës së Parë Punëtore Antifashiste në Shqipëri te Ura e Bëncës (pas Pushtimit nga Italia e Musolinit), kur ndaluam në qytet, foli hapur e në sytë e të gjtihëve edhe Bujar Sula mallakastriototepelenas, bir Dëshmori, Kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të rrethit: – Të lutem, më dëgjo pak, o djali i xha Goles ! Boll i latë dokumentet nëpër sirtarë, na i dërgoni sa më shpejt e sipas Ligjit në fuqi. Ti nipi i vogël, që ke edhe emrin e gjyshit, dua të na japësh fjalën këtu te kalaja e Ali Pashës…
Ikën edhe 8 vite. Fjala e dhënë u zvarrit e u bë tërkuzë. Më në fund i futa në një zarf shkresat me firmat e Vangjelit, Thanasit, Guriut, Dragos, Sulos, Krenarit e atë të Rustem Pecit. Interesimi këmbëngulës i Bujarit dhe i Prof. Zaho Golemit, nuk mund të harrohet. Sepse vendimi i Komisionit Shtetëror, cuditërisht ishte kycur jo pak në një zyrë të Ministrisë së Mbrojtjes (?!). Psenë e plotë nuk e mësova dot…Ndërsa “neglixhencën” time nëpër vite, nuk ma falën as kur shkuam vjet te Gryka e Peshtan-Mezhgoranit. “A do na e ndricosh një ditë, se ajo zhytet por nuk mbytet”…Po ku ta dinin ata burra të nderuar ! Nuk e morën vesh as Vangjeli e Thanasi, as Guriu e Rustemi, që mbase më dëgjojnë atje ku prehen. As babai, as xhaxhallarët në dheun e Shëmërisë në Peshtan e në Durrës, as tjetri në dheun e Miciganit në Amerikë që nuk e njoha dot…Ja e vërteta ime e hidhur : Kur pashë ca shkresa se kujt titullari i drejtoheshin në Tiranë, u shtanga e ndala frymën. Ishte emri dhe mbiemri i një burri jo burrë dhe plot ligësi të pashoqe. Ishte njeriu me ofiqe sipërore i Degës Ushtarake të rrethit, ai që 53 vite më parë më përplasi derën e zyrës së shtetit, më qethi kokën zero, më rrëmbeu si kacak ferre 1 vit para diplomimit si mësues dhe më degdisi…3 vjet ushtar në këmbësori ! Më thoni ju, a mund ta lija në ato duar edhe Kico plakun(gjyshin)?! Kur mora vesh ikjen e atij kokëmishi e shpirtkatrani, dorëzova dokumentet në Tepelenë. Shkurt, kjo ishte e vërteta e parë dhe e fundit, të cilën po e them sot, në këtë natë prilli jo të lehtë për mua. E theksova “shkurt” jo pa qëllim. Mbase do ia vlejë një shkrim i vecantë edhe përballja krejt rastësore me atë hijenë rreth 30 vite më vonë në ish zyrta e PD-së ! Por…mjerisht e turpësisht ai bëri të paditurin, zgjodhi “mosmbajtjen mend” dhe nuk i lëvizi qerpiku i ligësisë e poshtërsisë. Nuk poi a përmend emrin e mbiemrin, sepse më thanë që Perëndia e paska dënuar rëndë në familje. Të mira e të liga, mbi këtë dhe lahen e qahen…
Nuk tha kot i mencuri i mocëm: E vërteta është një, ne jemi shumë ! Ose “nga posti e pamja-tigër, nga shpirti-mi”. Vecse e mira dhe e keqja flenë nën një jorgan, por cështja është se zgjohen në kohë të ndryshme…









