Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule ka dhënë një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Himarës ditën e sotme. Dule ka thënë që shoqëria shqiptare është në kushte kur autokracia po shtrihet në të gjithë vendin, duke kërcënuar demokracinë në Shqipëri.
Duke u ndalur te fakti se Beleri ndodhet në burg, ndërkohë që ishte për t’u bërë betimi i tij si kryetari i ri i Himarës, Dule është shprehur që kryebashkiaku është zgjedhur nga sovrani. Sakaq, kreu i PBDNJ-së do të vazhdojë betejën politike, duke e çuar çështjen dhe te ndërkombëtarët.
“Ju falënderoj dhe ju shpreh mirënjohjen për praninë tuaj në të gjitha zhvillimet para, gjatë dhe pas zgjedhjeve në Himarë. Po përjetojmë të gjithë së bashku, shfaqjen e shëmtuar të tjetërsimit të demokracisë, të nëpërkëmbjes së vlerave dhe parimeve të lashta. Jemi në kushtet kur autokracia, që nis nga autokrati i Surrelit në mënyrë kapilare po shtrihet në të gjithë vendin duke prodhuar autokratoruc të vegjël. Kur Demokracia kërcënohet në një bashki, kërcënimi është për të gjithë.
Të gjithë të bëjmë rezistencën që na takon. Nesër mund të jetë vonë. Beleri një qytetar i nderuar, një biznesmen i suksesshëm, një politikan fitues, në mënyrë absurde për rreth 2 muaj është në pengmarrjen e z.Rama, sepse bëri gabimin fatal ta fitojë në zgjedhje. Beleri përfaqësuesi i Himarës, mishërues i tyre për të drejtat elementare mbahet ende në qeli, pa iu dhënë e drejta kushtetuese për të marrë atë që i dha sovrani, kreun e Himarës. Zhvillimet në Himarë përbëjnë letrën e lakmuesit për të gjithë vendin, ngjyra që mori është e zezë, njollë e zezë për demokracinë.
Beleri është zgjedhur, konfirmuar nga KQZ dhe i është dhënë vlefshmëria nga gjykata e faktit. Nuk ka asnjë rol këshilli bashkiak, duhet të bënte detyrimin elementar që e shpërfilli në dirigjimin e Ramës që ishte leximi i vlefshmërisë së mandatit. Maliqin do ta përballojmë si maliq. Ne do të vazhdojmë politikisht betejën tonë, brenda dhe jashtë vendit, për të parë si trajtohet demokracia. Do ta bëjmë në të mirë, jo vetëm të Belerit por në favor të gjithë Shqipërisë. Nesër do të jetë vonë, nëse nuk kuptojmë tani. Unë e takoj pothuajse për çdo javë z.Belerin, është një frymëzim.”, tha Dule.