Të gjithë ata që do t’i drejtohen Shkodrës për të parë në stadium ndeshjen me Italinë, do të kalojnë disa filtra sigurie.
Kontrollet do të nisin në kufi për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi apo ata që do të vijnë nga vende të tjera.
Dhe nuk janë masa të zakonshme për të identifikuar apo ndaluar tifozët problematikë, por antiterror.
MASA TË RREPTA ANTITERROR
Masat më të larta antiterror për një ndeshje të kombëtares Shqipëria i përjetoi në ndeshjen me Izraelin. Arrestimi i 4 personave që dyshohej se po planifikonin një sulm kundër izraelitëve apo stadiumit “Loro Boriçi”, i detyroi autoritetet ta zhvendosin lojën në Elbasan.
Masa të ngjashme do të jenë edhe për Italinë.
“Në kuadër të masave për parandalimin e akteve terroriste, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash me synim studimin, analizimin e të dhënave dhe informacioneve nga specialistët në Drejtorinë e Antiterrorit, për të bërë të mundur evidentimin e individëve ose grupeve ekstremiste të dhunshme dhe me tendenca të mprehta kriminale dhe terroriste, që mund të cenojnë rëndë rendin dhe sigurinë publike para, gjatë dhe pas përfundimit të aktivitetit sportive.
Për këtë, Policia e Shtetit, synon bashkëpunimin me SHISH, AISM dhe Gardën e Republikës, por dhe me Policitë e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi”, njoftoi policia.
Si masë antiterror do të monitorohen edhe faqet “në rrjetet sociale dhe burimet e hapura për identifikimin e individëve dhe grupeve që bëjnë thirrje për nxitjen e fenomenit të ekstremizmit.”
Agjentë të Antiterrorit do të vendosen edhe në pikat e kalimit kufitar në Morinë, Muriqan, Hani i Hotit, Qafë Thanë dhe Durrës.
Një specialist i Drejtorisë Antiterror do të vendosë nëse dikush mund të futet ose jo në Shqipëri nga data 6 deri më 9 tetor.
Ai do të verifikojë, intervistojë nëse është e nevojshme dhe të refuzojë kalimin e cilitdo person të dyshuar.
KËSHILLA PER TIFOZET
Policia u kërkon tifozëve që kanë bileta të hynë sa më shpejt në stadium. Portat do të hape prej orës 17:00 edhe pse ndeshja do të luhet në 20.45.
Tifozët duhet të kenë me vete biletën edhe letërnjoftimin.
Nuk do të lejohet asnjë person që të hyjë në stadium me fishekëzjarre, flakadanë, sende të forta, sende metalike, monedha apo çelësa, banderola që janë të ndaluara etj.
Policia njoftoi se nuk do lejohet hyrja në stadium e asnjë banderole dhe asnjë personi nga tifogrupi “ILLYRIA ELITE”, të cilëve nuk u janë shitur bileta nga Federata Shqiptare e Futbollit pasi kanë krijuar probleme në ndeshjen Itali-Shqipëri në Palermo, më datë 24.03.2017.
Nga Italia pritet të ndjekin ndeshjen në stadium rreth 1200 tifozë. Prej tyre, rreth 500 pritet të vijnë enkas nga vendi fqinj, ndërsa rreth 700 tifozë pritet të jenë shtetas italianë me banim të përkohshëm në Shqipëri.
KONTROLLE NE RRUGE
Do ketë kufizime lëvizje dhe bllokim të qarkullimit në disa akse rrugore të brendshme të qytetit të Shkodrës.
Drejtoria e Policisë Shkodër do bëjë njoftime për oraret dhe rrugët që do kufizohen apo do bllokohet qarkullimi i automjeteve dhe të masave të tjera të sigurisë.
Në akset rrugore Morinë – Shkodër e Tiranë – Shkodër do të ketë radarë për matjen e shpejtësisë dhe do përdorë dragerat për pijet alkoolike.
Mund të duken masa të tepruara. Por e rëndësishme është që të mos shkaktojnë konfuzion, siç ndodhi në Elbasan në ndeshjen me Izraelin.