73-vjeçari Jani Miçi, gjithë jetën e tij e lidhi me zanatin e kovaçit duke përgatitur vegla pune dhe zbukurime në hekur për zonën e Dropullit dhe më gjerë. Prej më shumë se gjysmë shekulli me çekanin dhe kudhrën e kovaçit, Jani punon plot mjeshtëri në hekur duke ndihmuar banorët e zonës në zanantet dhe punët e ndryshme.
“Ishim shumë djem nga familja, të tjerët shkuan në shkollë me bursë shteti, kanë mbaruar universitete dhe gjëra të tjera, unë ngela më sheleg, në moshën 16-vjeç babai më tha të mësosh një zanat, vajta të mësoj në Gjirokastër për kallajxhi në fillim 6-muaj shkoja për kallajxhi dhe për kovaç të usta Nimeti, ka qenë ustai i madh si përfundim erdha këtu në Vrisera kishte një plak me babanë e tij ustai im, që ndjenja 7 vjet me të, doli në pension plaku ngela unë me atë pastaj me atë mësova zanat shumë vite d.m.th punova edhe kur u ktheva nga Pashalimani që isha marinar erdha prapë këtu me atë”-tha Miçi.
Kovaçi i vjetër kujton plot nostalgji punimet e ndryshme në hekur, vegla pune, etj që ka kryer. Për të zanati i kovaçit është sa i domosdoshëm aq dhe i vlerësuar nga njerëzit.
“Kaq punë bënim që nuk e merr me mend dhe gjithë sektorët këtu, gjithë fshatrat vinin këtu te dyqani , mbushej dyqani me vegla në mëngjes dhe në darkë nuk linim asnjë, u bënim njerëzve, ishte pa para atëherë, na paguante kooperativa dhe në i bënim gati, i merrnim njerëzit punonin dhe me ato rronin, me ato vegla punonin. Pra kovaçi ishte zanat i kërkuar ? Zanat i kërkuar dhe i domosdoshëm d.m.th për atë kohë ishte i domosdoshëm, pa kovaçin nuk shkoje gjëkundi si do të veje, me se të punoje.”
Megjithëse pjesën më të madhe të viteve të punës ai Iu ka shërbyer banorëve të Dropullit, në fillim të viteve 90-të emigroi në Greqi. Por lidhja me vendlindjen dhe njerëzit bëri të rikthehej shpejt për t’i dhënë sërish jetë punishtes në fshatin Vrisera.
“Një vit ndenja më tha ustai, më pa që isha edhe punëtor dhe zanatçi ik më tha hap një vrimën tënde më tha këtu hyzqemar i grekëve do të jesh, si përfundim vendosa erdha këtu në fillim më ndihmoi ai me punë, pastaj ndenja këtu ku të veja, fëmijët i kisha në fillim, dy djem kam edhe ata filluan zanatin këtu, tani janë në Athinë, bëjnë punë të ndryshme.”
Për Janin zanati i kovaçit është sa i lodhshëm aq edhe i bukur sepse i jep jetë hekurit, e bën të dobishëm për njerëzit në punët e përditshme
“I lodhshëm është por po ta kesh me qejf nuk të lodh, do ndihmës, pa një njeri vetëm nuk e punon dot zanatin. Pra nuk është vetëm i vështirë por edhe i bukur ?Shumë i bukur, merr një hekur të vjetër dhe bën një vegël të bukur të punojë njeriu, kjo është kënaqësi që punon një gjë të bukur nga dora tënde, të thonë njerëzit faleminderit usta, ka të mira shumë ky zanat, ta mendosh nga ana psikologjike të të flasin edhe përshëndetje usta është gjë e madhe.”
Ndërsa vitet kalojnë të rinjtë nuk e preferojnë më këtë zanat duke bërë që Jani dhe kovaçana e tij të jenë të fundit në Dropull. Zanatçiu i moshuar flet me dhimbje për braktisjen dhe shkuarjen drejt harresës të mjeshtërisë së kovaçit sa të domosdoshme aq edhe të vlerësuar nga breza të tërë.
“Më dhimbset patjetër që më dhimbset se shikoj që kush ika unë, Dropulli gjithë Dropulli ku do të shkojnë ustallarët, thonë sa të munden vijnë këtu më marrin hajde kam dy çekanë të mi rregullosh, do të vij se s’bën se rrojta me ata tërë jetën rrojta domethënë më mbajtën me bukë.”
“Kam kaluar shumë ndihmesa punonin me mua shumë bukur mrekulli në fund gjenin punë tjetër, iknin në Greqi , ikën në Europë, ikin nuk rrinë djemtë”-theksoi ai./Euronews Albania









