Shkrimi më poshtë është botuar 10 vite më parë në gazetën “Panorama Sport”. Autori Uvil Zajmi ka risjellë në vëmendje të publikut disa nga momentet më të veçanta në karrirën e Sefedin Brahos. Po e risjellim të plotë edhe njëherë për nder të legjendës që sot mbylli sytë në moshën 71-vjeçare.
I datëlindjes 1953, me një kar rierë të nisur në vogëli, duke luajtur me shokët e lagjes “Punëtore” në fushën e vjetër të qytetit. Talentin ia evidentojnë që në klasën e tetë në shkollën “29 Nëntori”, por Braho i vogël nuk kishte dëshirë dhe e refuzon interesimin, madje dëshironte më shumë të luante basketboll. Ndërkohë familja, jo me traditë sportive, nuk e pengonte të merrej me sport. Jo shumë i gjatë, i hollë dhe me një fizik karakteristik, janë trajnerët Zisi Cabeli dhe Foto Xhai, që i projektojnë të ardhmen. Fillimisht e aktivizojnë me të rinjtë, si sulmues krahu, për ta kaluar në skuadrën e parë të Luftëtarit me trajner Xhain. Është viti 1970, ka moshë shumë të re. Vetëm 17 vjeç, dhe aty do të gjejë K.Caron, K.Zilen, C.Ndojën, I.Brahon, M.Kurtin. Këtu fillon edhe karriera e tij. Dy vjet me Luftëtarin, pastaj transferimi në Tiranë…
Te Partizani dhe debutimi kundër Luftëtarit
Braho erdhi te Partizani i shumëpritur, por në të vërtetë dëshirën e kishte të qëndronte në Gjirokastër, pranë familjes. Ishte shërbimi i detyruar ushtarak që do e transferonte në kryeqytet në klubin e famshëm, ku si trajnerë gjen Kolec Krajën, Ilia Shuken, por edhe futbollistë kalibri me Panon në krye. Kthehet në Gjirokastër, por si lojtar i Partizanit në takimin e parë zyrtar. Është shtator i vitit 1970 dhe kundërshtari do të ishte skuadra e tij. Rezultati është shumë i thellë: Luftëtari-Partizani 0-6. Një debutim më të hidhur nuk ka. Gjirokastriti i famshëm, i vetmi që u largua me dëshirë nga Partizani Sefedin Braho, “shigjeta” shqiptare që refuzoi një milion dollarë nga Sëlltiku Si i shpëtoi dënimit nga Partia një ndër lojtarët më të shpejtë në histori.
Largimi me dëshirë nga klubi
Dy vjet dhe asnjë ditë më shumë. Ky ka qenë limiti kohor dyvjeçar i qëndrimit të Brahos në klubin e kuq. Sefedin Braho është i vetmi futbollist që, si asnjë tjetër, erdhi, luajti dhe u largua nga Partizani me dëshirën e tij. Ndërsa të gjithë e kishin ëndërr të luanin e të qëndronin me klubin ushtarak, pasi fama dhe karriera e një lojtari mund të startonte shumë mirë nga ky klub, për Brahon e kundërta. Lidhja me familjen, mospërshtatja me mjedisin kryeqytetas, rikthimi në ish-klubin ku gjen Ishkën dhe Kokalarin si trajnerë, janë disa nga arsyet. Kur u përgatit largimi i tij, u duk disi e pabesueshme që Braho do të linte Partizanin. Por, ashtu siç erdhi pa zhurmë e bujë, ashtu edhe u largua. Asnjë tentativë nga ushtarakët e kohës për ta mbajtur me Partizanin. Kjo skuadër nuk do ta harronte dhe do ta thërriste si përforcim në disa takime ndërkombëtare vite më vonë.
Kartoni i kuq, i pari dhe i vetmi
Luhet në Vlorë, ndeshje kampionati. Braho është kapiten i skuadrës. Arbitër i takimit është shkodrani Tef Prela. Luhet pjesa e dytë dhe rezultati është 1-1. Një ndërhyrje e rëndë ndaj Brahos është shoqëruar me reagimin e ashpër të tij. Si rrallëherë. Edhe pse ishte viktimë sistematike e ndërhyrjeve të rënda të kundërshtarëve, nuk reagonte. Por, në Vlorë nuk mundi të rezistojë dhe të heshtë. Dhe, nga xhepi i arbitrit Prela ka dalë menjëherë kartoni i kuq ndaj tij. Ishte i pari, por edhe i fundit. Ndeshja përfundoi 4- 1 për Flamurtarin, që fitoi ndaj Luftëtarit të mbetur me dhjetë futbollistë në fushë. Ky ka qenë dhe mbetet i vetmi ndëshkim që ai ka marrë, pasi ka qenë simbol i lojës e sjelljes korrekte.
Në Kombëtare nga Alla te Konçi
Nëntë ndeshje dhe një gol me Kombëtaren. Ky është bilanci i Brahos me fanellën kuqezi. Ka luajtur kur ishte me Partizanin, por edhe kur luante me Luftëtarin. I marrë nga Myslym Alla në ndeshjen e gjashtë majit 1973 në Tiranë ndaj Rumanisë 1-4. Pastaj me Ilia Shuken në dy takimet pasardhëse: me Finlandën 1-0 dhe RD Gjermane 1-4 dhe, pas shtatë vitesh bashkë me rikthimin e futbollit shqiptar në kompeticionet europiane, rikthehet edhe Braho në përfaqësuese. Katër takime me trajnerin Zyber Konçi, madje në Tiranë ndaj Finlandës në vitin 1980 realizon golin e parë në fitoren 2-0. Dhe, takimi i fundit po në vitin 1980, në Tiranë ndaj Austrisë 0-1. Me klubet ka qenë një ndër futbollistët e marrë si përforcim në disa takime. Spikatin ato të Partizanit ndaj Sëlltikut, Rijekës dhe Malmos. Por, edhe Dinamo e ka marrë kur luajti kundër Aberdinit në kohën kur trajner ishte Bahri Ishka.
Testi “Kuper”, sa problem për Brahon
Testimet kanë qenë shumë problem për Brahon, pasi asnjëherë nuk i ka përfunduar ato. Në prag të çdo sezoni futbollistik, FSHF organizonte testimet fizike për çdo skuadër pjesëmarrëse në Kategorinë e Parë. Në to përfshiheshin garat e shpejtësisë, disa norma teknike dhe në mbyllje ishte programuar testi “Kuper”: 12 minuta vrapim dhe norma e realizimit ishte minimalisht 3200 metra. Kishte futbollistë që realizonin deri edhe në 4200 metra, por në përgjithësi të gjithë vuanin në këtë test. Njëri prej tyre ishte edhe Braho. Bënte vetëm xhiron e parë, ose edhe të dytën dhe nuk vazhdonte më. Një çështje psikologjike e frenonte dhe ai e linte garën. Sipas një rregulli të FSHF-së, ai që nuk realizonte testimet, s’luante në kampionat deri në një testim të dytë. Vetëm për Brahon është bërë përjashtim. Për të, FSHF-ja, komuniteti i sportit toleronin. Një sportist si ai nuk mund të ndëshkohej për një test të tillë. Për të tjerët nuk është bërë asnjë privilegj në asnjë rast.
Futbollisti më i shpejtë në Shqipëri
Sefedin Braho mund të jetë futbollisti më i shpejtë i kampionateve shqiptare ndër vite. Me një start dhe sprint të tillë, rrallë kanë parë pistat dhe fushat e futbollit. Një shpejtësi natyrale, një aftësi që i ka mahnitur të gjithë. Shpejtësi e kombinuar me topin në lëvizje, driblimi, ishin cilësitë që e karakterizonin në individualitetin e tij. Në testime fizike realizonte kohë rekord në garat e distancave të shkurtra, ideale dhe të admirueshme për atlet të nivelit të lartë. Dhe, kur mendon se matjet realizoheshin me kronometër dore, ndoshta koha do të ishte tjetër.
Braho dhe Hitaj, kur Partia tentoi t’i dënonte
Nëntor i vitit 1981. Luhet në stadiumin “Subi Bakiri”, të pranishëm 8000 shikues, të ndarë në dy pjesë: gjysma e stadiumit tifozë të Luftëtarit dhe pjesa tjetër të Partizanit. Tension dhe rivalitet i madh në fushë, por edhe në shkallë. Pjesa e parë, rezultati 0-0, Braho është mbuluar ashpër dhe nuk ka rendimentin që pritej, madje në disa raste është fyer nga tifozët vendës. Në pushim duke ngjitur shkallët për në dhomat e zhveshjes, i revoltuar, i kërkon trajnerit Hitaj ta zëvendësojë. Duke e njohur mirë temperamentin dhe, ndërsa është duke bërë zëvendësimin, në dhomë futet një drejtues i lartë partie. I drejtohet Brahos dhe, në një debat të ashpër midis tyre, kërkon ta bindë të rikthehet në fushë. Sefedini i revoltuar i vendos duart në gjoks, madje e shtyn. Mjafton ky çast dhe kjo sjellje për t’u bërë problem në Komitetin e Partisë. Të nesërmen në një analizë të skuadrës janë të pranishëm edhe drejtues e zyrtarë të pushtetit lokal. Një analizë, ku nuk u fol për futboll, por për çështjen në fjalë “për sjelljen e Brahos ndaj zyrtarit”. Të martën trajneri Hitaj dhe Braho janë në korridorin e Komitetit të Partisë, në pritje të ndëshkimit që do të shoqërohej me punë në fermë. Por, një urdhër dashamirës nga Tirana anuloi gjithçka. Bëhej fjalë për Sefedin Brahon, ndaj të cilit edhe Komiteti i Partisë ndali. I duhej t’i kërkonin falje për fyerjet që i bënë, jo ta akuzonin dhe as ta mendonin për ta dërguar në fermë si dënim.
Miqësia me Xhafën dhe akuzat për penalltinë e humbur
E rrallë, por i ka ndodhur pikërisht atij. Sa i ekuilibruar ishte në fushë, sa padrejtësi, ndërhyrje ka duruar, por e kishte një moment shumë të veçantë shpërthyes. Në Gjirokastër, rivalitet i madh Luftëtari- Flamurtari. Braho dhe Uran Xhafa, dikur ushtarë te Partizani, si në atë kohë edhe sot ruajnë një miqësi me vlera. Jepet një 11-metërsh për Luftëtarin, gjuan Braho, topi përfundon jashtë. Tifozët e irrituar e akuzojnë se e ka humbur qëllimisht, i ndikuar nga miqësia me Xhafën. Braho i tensionuar duron dhe pret përfundimin e pjesës së parë, për të shpërthyer në të dytën. I papërmbajtshëm, i mund i vetëm vlonjatët. Nga 0-1 në 2-1 dhe dy golat ishin produkt i lojës së tij. Në Gjirokastër nuk e kishin parë të shpërthente në atë mënyrë.
Braho-Kalluci-Seiti, “vrasësit” e gjigantëve
Ka qenë një ndër vijat sulmuese më të rrezikshme për vitet që kanë luajtur bashkë. Luftëtari i trajnerit Hitaj, por në veçanti i treshes Braho- Kalluci-Seiti, kanë tronditur edhe mbrojtjet më të forta të kohës. Dhe, simbol i asaj skuadre për ato vite ishte treshja sulmuese. Kanë luajtur bashkë për më shumë se një dekadë, nga viti 1975-1988. Fillimisht në skuadër ishte Kalluci, pastaj Braho dhe i fundit që u bashkua me ta Seiti. Nënkampion në sezonin 1977, pas barazimit dramatik 0-0 me Shkëndinë në “Subi Bakiri”. Madje, arbitri i ndeshjes Arsen Hoxha akordoi edhe një 11-metërsh për ekipin udhëtues, por Seiti, mbrojtësi i Shkëndisë, goditi traversën pa mundur të realizonte.
Golat spektakolarë dhe dëmtimet e paharruara
Golat: Janë disa, por veçohen ato të realizuar në Tiranë kundër Dinamos, kur Luftëtari fiton 3-2 dhe Braho ka realizuar golin e parë, pasi ka dribluar 4 kundërshtarë. Po kundër Dinamos, në vitin 1977, Luftëtari fiton 5-2, ndërsa Dinamo ishte në avantazh 2-1 në pjesën e parë. Braho ka qenë protagonist i përmbysjes së madhe kur ka marrë një 11-metërsh të akorduar nga arbitri A.Canaj, duke i dhënë avantazhin 3-2 ekipit të tij.
Dëmtimet: Është sezoni 1978-’79 dhe në Gjirokastër luhet takimi Luftëtari-Dinamo 0-1. Luftëtari është në krye të klasifikimit dhe sapo ka startuar faza e dytë. Janë luajtur vetëm 30 sekonda lojë dhe një ndërhyrje shumë e rëndë ndaj tij ka shkaktuar një frakturë, që e largon për katër muaj nga fushat e futbollit. Në Lezhë, sezoni 1973-’74, luhet Besëlidhja- Partizani. Një goditje në nofull, për pasojë një frakturë e rëndë dhe menjëherë në Spitalin Ushtarak. 15 ditë në gjendje të vështirë, pa mundur të lëvizë kokën, duke u ushqyer me pikatore.
Një jetë me sportin, vetëm një apartament dhe dollarët e refuzuar
Vetëm një apartament i thjeshtë me dy dhoma e një kuzhinë i dhënë nga Komiteti Ekzekutiv, një pesorësh dhe orare të reduktuara e kaq. Shumë i respektuar dhe i nderuar nga të gjithë, kudo ku ka luajtur. Një karrierë e gjatë dhe një kontribut i pallogaritshëm, mirëpo si i gjithë ai brez, u ndëshkua nga sistemi. I kërkuar dhe i preferuar nga shumë klube, ndonëse e veçantë mbetet oferta e Sëlltikut. Pas ndeshjes në Tiranë, i marrë si përforcim nga Partizani, gjatë banketit në hotel “Dajti” pas ndeshjes, presidenti i Sëlltikut i kërkon trajnerit Birçe të bisedojë me Brahon. Ai kishte evidentuar një futbollist shumë cilësor dhe me idenë për ta marrë në Skoci, i bëri ofertën prej 1 milion dollarësh. Por, ajo ishte vetëm një ofertë që mbeti një sekret apo ëndërr e patreguar tek askush për rrezikun që mbarte, për të dhe trajnerin Birçe.
Si vazhdoi jeta e Brahos? Kur politika i propozoi doganën dhe e refuzoi…
Ishte kohë fushate. Bëhet fjalë pas viteve `90-të. Një ndër politikanët e kohës, njohës e dashamirës sporti, i ofron Sefedin Brahos një propozim tepër joshës: Për një pjesëmarrje të tijën në fushatë me simpatizantët demokratë, Brahos do t’i ofrohej një vend pune në doganën e Kakavijës. E kush nuk do ta pranonte këtë propozim? Një vend aq i dëshiruar nga të gjithë shqiptarët… Sigurisht, Braho. Nuk ishte mësuar e nuk mund ta bënte një konvertim të tillë. Për ata që e njohin, nuk kanë pikë dyshimi se Braho e ka refuzuar propozimin. Ka qenë dhe ka mbetur Braho i fushës, i ndershëm, i sinqertë, pa kërkuar të përfitojë nga politika e djeshme dhe apo e sotme.
Larg dhe afër futbollit
Pasi u shkëput nga futbolli, qëndroi disa vite në asistencë, por që nga viti 1995 është si inspektor i klubit Luftëtari. Nuk ka preferuar të jetë trajner, por gjithmonë në rolin e administratorit qëndron në stol me skuadrën. Nga dy djemtë, vetëm i madhi vazhdoi rrugën, sulmues, por pa mundur të arrijë famën e tij. Brahon e gjen çdo ditë në stadium dhe natyrisht nuk mungon në asnjë ndeshje të Luftëtarit. Ka mbetur i thjeshtë, shumë modest, si në kohën kur luante. Flet pak për veten, por i takon opinionit, specialistëve të përcaktojnë e të vlerësojnë: Sefedin Braho ka qenë dhe mbetet një ndër talentet e mëdha të futbollit tonë.