Mafizoi i njohur siçilian, ‘bosi i bosëve’, Salvatore “Toto” Riina vdiq sot nga kanceri në burg në moshën 87-vjeçare.
Riina ishte dënuar me 26 burgime të përjetshme dhe besohet se ka urdhëruar më shumë se 150 vrasje.
Kreu i “Cosa Nostra”-s kaloi afro një çerek shekulli në arrati para se të burgosej në vitin 1993. Në burg, ai vazhdoi të urdhërojë vrasje të tjera.
Përveç kancerit në veshka, dyshohet se Toto Riina vuante edhe nga një sëmundje zemre, si dhe nga parkinsoni.
Mafiozi kishte disa ditë që ishte vendosur në koma mjekësore dhe familjes së tij iu dha një leje e veçantë për t’a vizituar në spitalin ku ishte shtruar, në Parma.
Si u bë Toto Riina ‘bosi i bosëve’?
Toto Riina lindi në vitin 1930 në një familje të varfër fermerësh në fshatin Corleone në Siçili. (Vendlindja e Don Corleones, mafiozit imagjinar të triologjisë ‘Kumbari’)
Babai i tij u vra kur Riina ishte vetëm 13 vjeç. Në moshën 19-vjeçare ai iu bashkua mafias lokale duke kryer vrasje që të lejohej në rrethin e tyre. Atëherë, ai u dënua me gjashtë vite burg.
Kur doli, ai ndihmoi mafiozin vendas Luciano Leggio të vriste kreun e mafias korleoneze. Së bashku me mikun e tij të fëmijërisë, Bernardo Provenzano, ai udhëhoqi një grup vrasësish për të ekzekutuar Mishel “Kobra” Cavataion në Palermo, duke i dhënë klanit Corleone një goditje të fortë në kryeqytetin siçilian.
Kur Luciano Leggio u arrestua në vitin 1974, ishte Toto Riina ai që mori drejtimin e klanit mafioz. Nën udhëheqjen e tij, ky klan arriti të merrte në dorë “Cosa Nostra”-n, e cila u fuqizua jashtë mase në vitet ’70, pasi kontrollonte trafikun e heroinës drejt Amerikës së Veriut.
Edhe pse i shumëkërkuar nga autoritetet italiane, Toto Riina arriti t’i shmangej drejtësisë për 24 vite. Të gjithë këtë periudhë, ‘bosi i bosëve’ e kaloi në ishullin e Siçilisë.
Ku dallonte Toto Riina nga të tjerët?
Mafia njihet për brutalitetin që e karakterizon, por Toto Riina ishte më i egri nga të gjithë. Jo rastësisht, Riinës iu ngjit pseudonimi “përbindëshi”.
“Ai ishte mafiozi më i pashpirt dhe më i ndyrë. Ndoshta më i brutali në historinë e mafias” – u shpreh për BBC-në gazetari i ANSA-s, Francesco Bongarra.
(Giovanni Falcone)
Mizoria që e karakterizonte e ngriti shpejt Toto Riinën në krye të mafias, por ishte gjithashtu kjo mizori që kontribuoi në rënien e tij dhe marrëdhënieve të mafias më shtetin Italian, shkruan Lapsi.al.
Në vitin 1981, Toto Riina filloi një ‘fushatë’ dy-vjeçare të quajtur “masakra” për të eliminuar rivalët e tij, duke bërë që shumë mafiozë të tremben për jetën e tyre dhe ato të familjeve të tyre.
Një pjesë e mirë thyen kodet e heshtjes dhe filluan të bashkëpunojnë me hetuesit. Këto bashkëpunime sollën edhe një furi arrestimesh. Qindra mafiozë u dënuan me burg.
Por, Toto Riina nuk u step nga këto ngjarje. Në vitin 1992, brenda dy muajsh, dy prokurorët kryesorë anti-mafia, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, u hodhën në erë me bombë.
Gjashtë muaj më vonë, erdhi dhe arrestimi i Toto Riinës.
Çfarë ndodhi pas burgosjes së tij?
Paraburgimi nuk e ndaloi mizorinë e Toto Riinës. Ai urdhëroi vrasjen e një 13-vjeçari që e kishin rrëmbyer me qëllim që babai i tij të mos zbulonte informacione rreth mafias. 13-vjeçari u mbyt dhe më pas i tretën trupin në acid.
Në shenjë proteste ndaj arrestimit të tij, bashkëpunëtorët e Riinës kryen një seri shpërthimesh me bombë në Romë, Milano dhe Firence në vitin 1993. 10 persona humbën jetën nga sulmet dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Toto Riina u burgos nën masat më të rrepta të sigurisë. Lapsi.al shkruan se duhej me çdo kusht që ‘bosit të bosëve’ t’i ndërpritej çdo kontakt kriminal me botën jashtë. Edhe familjarët ishin shumë të kufizuar për t’a takuar.
Në ditët e fundit të jetës pati disa peticione që kërkonin lirimin e Riinës në arrest shtëpie. Por, këto peticione u ndëshën menjëherë me protestat e të afërmëve të zemëruar të disa prej viktimave të tij.
Këtë vit, Toto Riina u regjistrua duke thënë në burg se nuk i vjen keq dhe nuk është bërë pishman për gjërat që ka bërë.
“Ata kurrë nuk do të më mundin, edhe nëse me dënojnë me 3000 vite burg” – është shprehur Toto Riina. Dhe me të vërtetë, për gjithë këto vite, mafiozi nuk e theu kurrë heshtjen.
Toto Riina la pas një grua, Antoniettën dhe katër fëmijë, përfshi këtu edhe djalin e madh, Giovanni, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për katër vrasje.
BBC, përshtati LAPSI.AL