• Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
Nuk ka rezultate
View All Result

Kryepeshkopi Joan: Kisha si një urë e gjallë besimi dhe qytetërimi

05/12/2025
Kryepeshkopi Joan: Kisha si një urë e gjallë besimi dhe qytetërimi

*Nga Kryepishkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Joani

Rajoni i Ilirikut të lashtë, i cili korrespondon me Shqipërinë e sotme dhe territoret fqinje, përbën një pikë kyçe në historinë e Krishtërimit që nga koha apostolike. Via Egnatia, rruga e madhe perandorake që lidhte Romën me Konstandinopojën përmes Durrësit dhe Selanikut, përcaktoi rëndësinë strategjike të rajonit. Durrësi, si “porta drejt rrugës së madhe tokësore”, funksionoi si pika thelbësore e kontaktit midis Lindjes dhe Perëndimit. Krishtërimi i ka fillimet e tij në këto territore qysh në mesin e shekullit të parë.

Në letrën drejtuar Romanëve Shën Pavli shkruan: Me fuqi shenjash e çudish, me fuqi të Frymës së Perëndisë, kaq sa që nga Jerusalemi e përqark e deri në Ilirik e kam mbushur me ungjillin e Krishtit (Rom.15:19). Prania e një peshkopi të Durrësit (Epidamnus), Qesari, një nga shtatëdhjetë apostujt, i vendosur sipas Traditës së Kishës nga Shën Pavli në vitin 58 mbas Krishtit dhe e një peshkopi tjetër martir, Shën Asti, në vitin 98, dëshmon për praninë e hershme të krishterë në rajonin tonë. Gjithashtu, pjesëmarrja e peshkopit të Pulkeriopolis (Berati) në Sinodin e Parë Ekumenik të Nikesë (325) tregon që tashmë krishtërimi ishte mjaft i organizuar.

Kjo pozitë gjeografike i dha Ilirikut një rol unik: të funksiononte si një hapësirë sinteze dhe transmetimi të qytetërimit bizantin, duke ruajtur njëkohësisht karakteristikat e veçanta lokale. Rajoni i dha Bizantit perandorë të rëndësishëm si Konstandinin e Madh nga Nishi, Anastasin I nga Durrësi dhe Justininianin nga Dardania, të cilët formësuan identitetin e perandorisë së krishterë. Kjo kumtesë shqyrton se si Kisha në hapësirën shqiptare funksionoi si një urë e gjallë që lidhi periudhën paleokristiane me atë bizantine dhe e ruajti këtë vazhdimësi deri më sot, pavarësisht përmbysjeve dramatike historike.

Kalimi nga Iliriku romak në atë bizantin u krye gradualisht midis shekujve IV dhe VI. Justiniani, me origjinë nga Tauresium i Dardanisë, ndërmori një përpjekje gjigante për rindërtimin e rajonit, siç dëshmon Prokopi në veprën e tij “Mbi Ndërtimet”. Antipatrea u riemërtua Pulkeriopolis për nder të motrës së Teodosit II, duke pasqyruar praktikën bizantine të kristianizimit të toponimeve. Dëshmitë arkeologjike nga kjo periudhë përfshijnë një kishë trikonkëshe të shekullit të 8-të në Tivar dhe bazilika paleokristiane në Butrint e Durrës. “Kodiku i Purpurt i Beratit” (Codex Purpureus Beratinus Φ 043), i datuar në shekullin e 6-të, përbën një nga tre arketipet më të vjetër të Dhiatës së Re në mbarë botën dhe lidhet me shkollën siro-palestineze. Prania e tij në Berat tregon përfshirjen e rajonit në rrymat e mëdha shpirtërore të kohës. Zbulimi i neumave (shenjave muzikore) në kodik, të cilat ndoshta janë bashkëkohore me tekstin, mund të rishikojë datimin e shenjave muzikore bizantine. Kjo periudhë e hershme hodhi themelet për lulëzimin e mëvonshëm të qytetërimit bizantin në rajon, duke krijuar një rrjet qendrash kishtare që do të ruanin traditën e krishterë për shekuj me radhë.

Transferimi i Ilirikut nga juridiksioni i Romës në Patriarkanën e Konstandinopojës në vitet 732-733 nga perandori ikonoklast Leoni III Isauri përbën një moment vendimtar për historinë kishtare të rajonit. Ky ndryshim administrativ përkoi me periudhën e pushtimeve sllave që kishin vërshuar Ballkanin që në fillim të shekullit të 7-të. Siç vëren Ostrogorsky, “fluksi i kolonizimit sllav ishte derdhur si një rrëke e papërmbajtshme në të gjithë gadishullin ballkanik”, me pasojë që qytetet e lashta të brendësisë u shkatërruan dhe vetëm pak qytete bregdetare mbijetuan. Durrësi mbeti një nga fortesat e pakta bizantine që i rezistoi “përmbytjes sllave”, duke ruajtur vazhdimësinë e jetës së organizuar kishtare. Transferimi në Konstandinopojë siguroi mbijetesën e tipit liturgjik grek dhe të traditës bizantine në rajon. Sipas Theofanit, përfaqësuesit e Kishës Romake zhduken nga listat për një shekull e gjysmë, duke u rishfaqur vetëm në periudhën ikonoklaste. Ky ndryshim jo vetëm që riorientoi rajonin nga Perëndimi latin drejt Lindjes greke, por krijoi gjithashtu kushtet për integrimin e tij të thellë në ciklin kulturor bizantin, i cili do të zgjaste deri në pushtimin osman dhe përtej tij.

Organizimi kishtar i Shqipërisë mesjetare pasqyron historinë komplekse politike të rajonit. Mitropolia e Durrësit, pavarësisht rënies së saj të përkohshme në vendin e 42-të në listën e përparësisë në fillim të shekullit të 10-të, rimerr rëndësinë e saj në fillim të shekullit të 11-të kur në varësi të saj kalojnë pesëmbëdhjetë peshkopata. Midis tyre përfshihen Stefaniana (pranë Vlorës), Kunavia, Kruja, Lezha, Dioklea, Shkodra, Drishti, Vlora, Tivari, Cerniku dhe Pulkeriopolis (Berati). Kjo ngritje në detyrë lidhet me nevojën e krijimit të një qendre të fortë kishtare në perëndim të shtetit të Samuelit. Themelimi i Kryepeshkopatës autoqefale të Ohrit nga Vasili II rreth vitit 1020 krijoi tensione juridiksionale, pasi shumë peshkopata të territorit shqiptar, si Gllavenica, Cerniku dhe Himara, u transferuan në Ohër. Sigjili i dytë i Vasilit urdhëron në mënyrë eksplicite mitropolitin e Durrësit të respektojë vendimin dhe të mos cenojë peshkopatat që i përkasin kryepeshkopit të Bullgarisë. Berati, i njohur si Beligrad në burimet sllave, ruajti rëndësinë e tij si qendër kishtare. Sipas studimeve më të reja, Ohri e mori ndriçimin jo nga Beogradi serb, por nga Beligradi shqiptar – Berati. Ky rrjet peshkopatash përbën shtyllën kurrizore të organizimit kishtar bizantin që do të mbijetonte dhe do t’u përshtatej kushteve të ndryshueshme politike.

Tradita murgjërore në Shqipëri luajti një rol vendimtar në ruajtjen dhe transmetimin e qytetërimit bizantin. Në vitin 1399, igumeni Daniel i manastirit të Shën Nikollës në Perondi të Beratit, “nga frika e turqve”, braktisi manastirin duke marrë me vete të gjithë kodikët e vjetër dhe objektet e çmuara kishtare. Kodikët që ai shpëtoi datojnë nga shekulli i 10-të deri në të 14-tin, duke dëshmuar ekzistencën e një skriptoriumi aktiv. Shqipëria disponon sot më shumë se 100 kodikë në Arkivin Qendror Shtetëror, të cilët mbulojnë 13 shekuj (shek. 6-18). Midis tyre dallohen Kodiku i Beratit 23 (1292), i shkruar nga Mihail Slavopuli, i cili është një Irmologjion i bazuar në sistemin oktoik, dhe Kodiku i Përmetit 81 (fundi i shek. 13 – fillimi i shek. 14), një Stihirarion i shkruar në pergamenë. Berati u shfaq si një qendër e artit të shkrimit me shkolla të vërteta kaligrafie ku nxënësit mësonin artin e kopjimit të teksteve të shenjta. Shkolla të ngjashme funksionuan në Vlorë (shek. 10), Drinopojë (Gjirokastër), Korçë, Shkodër dhe Durrës. Kjo traditë e pasur dorëshkrimesh jo vetëm shpëtoi tekste me rëndësi botërore, por gjithashtu ruajti kujtesën kolektive të dinastive lokale të Muzakajve, Topiajve, Arianitëve dhe të tjerëve që financuan prodhimin e tyre.

Arti bizantin në Shqipëri shpreh vizionin teologjik të Bizantit, ku “arti pushoi së qeni vetëm kënaqësi estetike dhe u bë një mjet i fuqishëm fetar që e ngrinte besimtarin nga bota reale në atë qiellore”. Stili që karakterizon artin bizantin, ka të bëj kryesisht me shprehjen fetare, ose e thënë ndryshe, me përkthimin e teologjisë së kishës në mjete artistike, qofshin ato muzikore, arkitekturore, ikonografike etj. Qëllimi i këtij arti ishte të shprehte misterin e besimit, prandaj ky art është i mbushur me një simbolizëm shpirtëror kaq të pasur dhe të thellë.

Monumentet më të hershme epigrafike përfshijnë kishën e Lindjes së Hyjlindëses në Labovën e Kryqit me mbishkrime të viteve 525 dhe 551, kishën në Peshkëpinë e Sipërme me mbishkrim të vitit 619, dhe kishën e Shenjtorëve Sergji e Baku në Himarë me datim 786. Shekulli i 11-të dëshmohet nga kisha e Fjetjes në Lubonjë të Kolonjës, ndërsa shekulli i 12-të nga Shën Dhimitri në Potkozhan të Mokrës. I një rëndësie të veçantë është epitafi i Gllavenicës (1373), i qëndisur me fije ari nga despoti Gjergj Arianiti. Kisha e Shën Thanasit në Kostur, e ndërtuar me “mundim dhe dhimbje” nga ktitorët Stoja dhe Theodhori III Muzaka (1383/4), përfshin një afresk të Shën Gjergjit me veshje perandorake të zbukuruara me shqiponja dykrenore. Estetika bizantine, me sfondin e artë që zëvendëson hapësirën reale tredimensionale dhe perspektivën e përmbysur që e tërheq besimtarin drejt hyjnores, krijoi vepra që funksiononin si “dritare drejt përjetësisë”. Kjo traditë artistike vazhdoi edhe në periudhën pas-bizantine me piktorë të rëndësishëm si Onufri i Beratit, i cili kombinoi stilin bizantin me ndikime nga shkolla kretano-veneciane.

Shën Joan Kukuzeli, i lindur në Durrës rreth vitit 1270, përbën figurën kulmore të muzikës bizantine dhe simbolin e kontributit kulturor të Shqipërisë në botën bizantine. Jetim nga i ati, ai u dërgua në shkollën perandorake të Konstandinopojës ku shkëlqeu, duke fituar favorin e perandorit. Pavarësisht perspektivës për një karrierë të shkëlqyer laike dhe martesës me një vajzë të oborrit, ai zgjodhi monakizmin në Lavrën e Madhe të Malit të Shenjtë. Melurgu i madh Manuel Hrisafi e karakterizon atë si “të bekuarin, më të mrekullueshmin, më të ëmblin, Mësuesin e vërtetë, mësuesin e mësuesve”. Kukuzeli konsiderohet reformatori i praktikës kalofonike të psaljes dhe themeluesi i artit “Papadiki”. Dorëshkrimet që i atribuohen atij përfshijnë kodikun 1256 të Sinait (1309), kodikun 121 të Leningradit (1302) dhe kodikun 457 të Manastirit të Kutlumusit. Tradita e lidh atë në mënyrë të pandashme me vendlindjen e tij – shkolla artistike e Durrësit mban emrin e tij. Fakti që të gjitha veprat e tij janë shkruar në greqisht dhe se ai zgjodhi Lavrën e Madhe në vend të ndonjë manastiri serb apo bullgar, tregon identitetin e tij në traditën bizantine , në të cilën merrnin pjesë edhe arbërorët. Kisha e nderon atë më 1 Tetor së bashku me Shën Roman Melodin, duke njohur kontributin e tij në formësimin e muzikës kishtare që dëgjohet deri më sot në kishat ortodokse.

Dinastitë mesjetare shqiptare luajtën një rol vendimtar në mbështetjen e Kishës dhe ruajtjen e traditës bizantine. Muzakajt, me origjinë nga zona malore e Oparit, “lanë gjurmë të shumta të besimit të tyre përmes ngritjes së kishave”. Në vitet 1383/4 ata financuan kishën e Shën Thanasit në Kostur, ndërsa kisha e Trinisë së Shenjtë në Lavdar u rinovua rreth vitit 1470 nga “Zonja Kirana”, gjyshja e kronistit Gjin Muzaka. Karl Topia ndërtoi katholikonin e Manastirit të Shën Joan Vladimirit pranë Elbasanit në vitin 1381, në vitin e 22-të të sundimit të tij. Arianitët kishin prejardhje perandorake nga Komnenët – i pari i gjeneratës quhej Komnen Arianiti. I famshmi Gjergj Arianiti Komneni, i cili u bë aleat me Skënderbeun, krijoi epitafin e famshëm të Gllavenicës. Familja Balshaj financoi gjithashtu vepra të rëndësishme – Balsha II ra në betejën e Savrës (1385) duke shkaktuar panik që çoi në arratisjen e igumenit Daniel nga Perondia. Këto familje nuk ishin thjesht donatorë, por pjesëmarrës aktivë në jetën kishtare. Një konteshë me mbiemrin Skuripeki në vitin 1356 shpëtoi dorëshkrimet e kishës nga plaçkitja e ushtrisë së car Uroshit. Marrëdhënia e Kastriotëve me Ortodoksinë konfirmohet nga jeta e Shën Nifonit, ku Skënderbeu pret murgjit anti-unionistë dhe e bën Zaharinë atin e tij shpirtëror.

Historiani i dëgjuar Apostol Vakalopoulos, në librin e tij Historia e Maqedonisë 1354-1833, sjell një dëshmi të vyer për historinë tonë. Në fund të shekullit të 15-të, pelegrini rus murgu Isaia përshkruan manastiret e Malit të Shenjtë Athos dhe jetën dhe punët e murgjërve që banonin në to. Ai shkruan se pothuajse gjysma e manastireve janë sllave ose shqiptare. Si shqiptare ai na tregon manastiret e Karakalut dhe Philotheut. Kjo dëshmi e rëndësishme tregon qartë se prania e shqiptarëve në historinë e Malit të Shenjtë, që ishte qendra më e rëndësishme e besimit ortodoks, ishte e barabartë me popujt e tjerë të Ballkanit.

Rënia e Konstandinopojës në 1453 dhe pushtimi gradual osman i trojeve shqiptare nuk e ndërprenë vazhdimësinë kishtare. Siç vihet re, “gjatë periudhës osmane, valë të përsëritura islamizimesh, të cilat arritën kulmin në shekujt XVI dhe XVII”, e dobësuan Kishën. Arsyet kryesore të islamizimit ishin: përbuzja, keqtrajtimi, diskriminimi, sistemi i rëndë fiskal, si edhe dëshira për të patur përfitime. Por, nuk përjashtohen edhe arsye të tjera, personale apo kolektive, si edhe karakteri dhe psikologjia e shqiptarëve. Një shkak tjetër i rëndësishëm ka qenë edhe shkatërrimi i madh i kulturës së krishterë që u bë gjatë luftrave shqiptaro-turke në shekujt XV-XVI, në të cilat u shkatërruan kisha e manastire, biblioteka dhe kronika, që do të ishin mjaft të vlefshme, jo vetëm për studimet e sotme historike, por edhe për ruajtjen e ndërgjegjes historike të shqiptarëve. Vendi mbeti thuajse pa klerikë dhe ata që mbetën, shpesh ishin të pakualifikuar. Një pjesë e popullsisë kthehej vetëm për shkak të disa grindjeve me klerin.

Megjithatë, Kisha ruajti institucionet dhe jetën e saj shpirtërore. Voskopoja u shfaq në shekullin e 18-të si një qendër e madhe kulturore me “Akademinë e Re” dhe shtypshkronjën e themeluar rreth vitit 1730 me mbështetjen e Manastirit të Shën Naumit të Ohrit. Aty u shtypën vepra teologjike dhe edukative që u përdorën në të gjithë Ballkanin. Grigori i Voskopojës, i cili më vonë u bë mitropolit i Durrësit (1768), përktheu Shkrimin e Shenjtë dhe shpiku një alfabet për shqipen. Shën Kozmai i Etolisë (†1779) bëri udhëtime të gjata në Shqipëri, duke rigjallëruar besimin dhe duke u martirizuar në Kolkondas. Neomartirë si Jakovi nga një fshat rrëzë Ostrovicës († 1519), Nikodimi nga Vithkuqi (†1709 në Berat), Kristo Kopshtari nga Përmeti (†1748), Nikita Spataraku (†1809), Joani nga Konica (†1814), Gjergji i Janinës († 1838), si edhe shumë të tjerë, dëshmuan gjallërinë e besimit. Esnafet e Voskopojës dhe qyteteve të tjera financuan ndërtimin dhe dekorimin e kishave, siç është katholikoni i Ardenicës i pikturuar nga Konstandin dhe Athanas Zografi.

Rrugëtimi historik i Kishës në hapësirën shqiptare nga epoka paleokristiane deri më sot zbulon një vazhdimësi të shquar që i kapërcen përmbysjet politike. Që nga peshkopët që morën pjesë në Sinodet Ekumenike deri te Kodiku i Purpurt i Beratit, nga Shën Joan Kukuzeli deri te neomartirët e periudhës osmane, Kisha funksionoi si bartëse e kulturës dhe identitetit. Trashëgimia bizantine u ruajt jo si një fosil, por si një traditë e gjallë që iu përshtat kushteve të reja. Më shumë se 150 manastiret dhe kishat që u restauruan pas vitit 1991, nën drejtimin e Kryepeshkopit Anastas, dëshmojnë për këtë vazhdimësi. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë bashkëkohore, e njohur në vitin 1937 dhe e ringjallur pas periudhës komuniste, vazhdon të funksionojë si një urë midis së kaluarës dhe së tashmes. Kori që mban emrin e Shën Joan Kukuzelit simbolizon këtë lidhje të gjallë. Tradita muzikore bizantine që karakterizohet nga isoja dhe linjat polifonike konsiderohet se ka ndikuar madje edhe në muzikën tradicionale polifonike të Shqipërisë së Jugut, ose anasjelltas. Kështu, Kisha në Shqipëri nuk përbën thjesht një kujtesë historike, por një organizëm të gjallë që vazhdon të lidhë besimtarët me traditën mijëvjeçare të Bizantit, duke dëshmuar se qytetërimi i kapërcen kufijtë politikë dhe mbijeton përmes besimit dhe përshtatjes krijuese ndaj sfidave historike.

Related Posts

Emigrantët nga Azia/ Do të ndërtohen qendra pritëse në Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë
Kryesore

Emigrantët nga Azia/ Do të ndërtohen qendra pritëse në Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë

05/12/2025
Greqia në alarm të kuq/ Stuhia “Byron” sjell përmbytje të rrezikshme
Kryesore

Greqia në alarm të kuq/ Stuhia “Byron” sjell përmbytje të rrezikshme

05/12/2025
Kadastra: 3000 qytetarë të pajisur me vendim legalizimi gjatë nëntorit
Kryesore

Kadastra: 3000 qytetarë të pajisur me vendim legalizimi gjatë nëntorit

05/12/2025
Korrupsioni me grantet e bujqësisë, BE vijon të pezullojë fondet IPARD për Shqipërinë
Kryesore

BE sfidë për fermerët/ Anëtarësimi i Shqipërisë rrezikon fermat familjare

05/12/2025
President, mos i ‘laj duart’!
Blog

President, mos i ‘laj duart’!

05/12/2025
Kryesore

Tritan Shehu: Lëvizja e Salianjit private, nuk ka lidhje me PD. Unë e deklaroj votën për Berishën

05/12/2025

Argjiroja.net është një media online e pavarur, që informon me profesionalizëm dhe shpejtësi lexuesit. Në vëmendjen tonë të veçantë janë kryesisht ngjarjet në jug të Shqipërisë, por edhe zhvillime të tjera të rëndësishme brenda e jashtë vendit.
Argjiroja.net është pjesë e NaN Studio Sh.P.K me NIPT M02012001P

Për marketing dhe çdo informacion tjetër na shkruani në adresën [email protected]

Të fundit

Emigrantët nga Azia/ Do të ndërtohen qendra pritëse në Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë

Emigrantët nga Azia/ Do të ndërtohen qendra pritëse në Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë

05/12/2025
Greqia në alarm të kuq/ Stuhia “Byron” sjell përmbytje të rrezikshme

Greqia në alarm të kuq/ Stuhia “Byron” sjell përmbytje të rrezikshme

05/12/2025
  • Kryesore

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al

Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al