Aktorja e njohur amerikane Denise Richards dhe ish-bashkëshorti i saj, Aaron Phypers, janë urdhëruar nga një gjykatë në Kaliforni të lirojnë shtëpinë e tyre me qira në Calabasas, pasi nuk kanë shlyer detyrimet financiare ndaj pronarit të banesës.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga *Page Six*, një gjykatës i Gjykatës së Lartë të Los Angeles-it miratoi të premten kërkesën e pronarit për dëbimin e çiftit. Në padi thuhet se Richards dhe Phypers i detyrohen rreth 84 mijë dollarë qira të papaguar. Përveç kësaj, pronari ka kërkuar edhe mbulimin e shpenzimeve të avokatëve, si dhe kompensim për dëmet e mundshme të shkaktuara në pronë.
Richards, 54 vjeçe, dhe Phypers, 53 vjeç, kishin nënshkruar kontratën e qirasë në qershor të vitit 2020, duke paguar një depozitë sigurie prej 24 mijë dollarësh. Megjithatë, aktorja ka deklaruar se nuk jeton më në këtë pronë, për shkak të divorcit të saj të tensionuar me Phypers pas gati gjashtë vitesh martesë.
Në dokumente gjyqësore të paraqitura në gusht, Richards pretendon se është larguar nga shtëpia dy vite më parë dhe se kishte besuar se familja e Phypers do të qëndronte aty vetëm përkohësisht. Ajo gjithashtu ka pohuar se e kishte njoftuar ish-bashkëshortin se ai do të ishte përgjegjës për pagesën e qirasë duke filluar nga janari, ndërsa familja e tij vazhdonte të jetonte në banesë dhe refuzonte të largohej.
Sipas dosjes, pronari kishte tentuar për gjashtë muaj me radhë të kontaktonte Phypers për pagesën e qirasë, por pa sukses, çka e detyroi të ndërmarrë hapa ligjorë për dëbim, pasi të dy emrat figurojnë ende në kontratën e qirasë.









