Egnatia nuk po jep më garanci si kampione dhe kjo është diçka që po vihet re gjithnjë e më qartë nga java në javë. Sidomos në këto javë të fundit, skuadra rrogozhinase duket larg asaj që mahniti në fundin e vitit të kaluar, periudhë ku jo vetëm që prodhonte lojë cilësore, por edhe siguronte rezultate të rëndësishme, duke e mbyllur kampionatin në krye të renditjes.
Sot, tabloja është ndryshe dhe sinjalet janë shqetësuese. Humbja ndaj Tiranës nuk ishte thjesht një disfatë e radhës, por një tjetër provë se kriza nuk është kaluar. Përkundrazi, ajo përforcoi bindjen se Egnatia ndodhet në një moment të vështirë, ku mungon reagimi i menjëhershëm që e ka karakterizuar më herët. Katër ndeshje radhazi pa fitore janë një statistikë që flet qartë për gjendjen aktuale të skuadrës, ndërsa bilanci prej dy barazimesh dhe dy humbjesh, vetëm 2 pikë nga 12 të mundshme, është shumë larg pritshmërive për një ekip kampion. Po ashtu, ekipi po vuan në momentet kyçe të ndeshjeve, duke pësuar gola në momente delikate ose duke mos ditur të administrojë avantazhin, kur i krijohet mundësia.
REALITET I RI – Kjo situatë është e pazakontë për Edlir Tetovën, një trajner që ka ndërtuar reputacionin e tij mbi stabilitetin dhe aftësinë për të reaguar shpejt në momente krize. Në sezonet e fundit, skuadrat e tij kanë treguar karakter, duke ditur të ringrihen pas çdo luhatjeje. Por këtë herë, duket se zgjidhja po vonon të vijë, ndërsa presioni po rritet ndjeshëm. Egnatia është përballë një sfide të vërtetë: jo vetëm rikthimi te fitorja, por edhe rindërtimi i besimit brenda grupit. Kampionët në fuqi duket se kanë humbur sigurinë që transmetonin në fushë, ndërsa disa lojtarë kyç nuk po arrijnë të shprehin potencialin e tyre maksimal. Luhatjet në formë dhe mungesa e vazhdimësisë kanë ndikuar drejtpërdrejt në rendimentin e skuadrës.
VITI 2026, START ZHGËNJYES – Në katër ndeshjet e para të vitit 2026 në kampionat, rrogozhinasit nuk kanë arritur asnjë fitore, duke mbetur pa bërë ende “sefte” me tri pikët. Objektivi për të mbrojtur vendin e parë dhe titullin kampion është vënë seriozisht në diskutim, teksa rivalët po përfitojnë nga ky ngadalësim. Është e vërtetë që në Kupën e Shqipërisë, Egnatia arriti të kalojë më tej pas përballjes me Apoloninë, por ky sukses nuk ka mjaftuar për të ndryshuar panoramën në kampionat.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









