Në vitet e fundit, kjo edhe për meritë të Inter, Serie A kishte një përfaqësim dinjitoz në Champions, me ekipin zikaltër që shkoi dy herë në finale tre edicionet e fundit, sigurisht i humbi, por të paktën reklamoi, i dha pikë të çmuara kampionatit italian. Situata është përmbysur totalisht këtë edicion, ku si rrallë herë në vitet e fundit, Serie A mund ta shoh veten pa asnjë ekip që në fazën e 1/8. Me Napolin jashtë që në fazën e grupeve, tre ekipet e tjera të mbetura në garë, Inter, Juventus dhe Atalanta, të gjitha në bllok pësuan humbje të rënda në sfidat e para të vlefshme për fazën “play-off”.
E para që dështoi ishte Juve, me “Zonjën e Vjetër” që pësoi një humbje 5-2 në transfertë përballë Gallatasary. Të njëjtin fat pati edhe Atalanta, me ekipin e Gjimshitit që u mposht 2-0 në transfertë përballë Dortmund. Për të mbyllur këtë xhiro negative mendoi Inter, me ekipin zikaltër që doli i dërrmuar nga transferta përballë Bodo/Glimt, një humbje 3-1 që vendos në dyshim të fortë ecurinë e tyre në Champions.
Në letër, mbase përjashto Dortmund, shorti nuk ishte kaq i pamundur, përballë kishin rivalë mese të kalueshëm. Sigurisht që janë për t’u zhvilluar edhe ndeshjet e kthimit, por situata nuk duket shumë pozitive në një kohë kur në tre ndeshje tre ekipet italiane pësuan 10 gola në total. Ajo që rëndon më shumë është fakti që në tavolinë është edhe vendi i 5-të në Champions sezonin e ardhshëm. Bazuar edhe në pikët e grumbulluara, për momentin Italia nuk rrezikon, por nuk e ka as të sigurt.
Pas një javë, jo vetëm tre ekipet e mbetura në lojë, por e gjitha Italia shpreson që Inter, Juve e Atalanta të vënë në jetë ndonjë mrekulli për të mos dalë kaq thjesht dhe kaq shëmtuar nga Champions.







