Diten e sotme, në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet seanca e parë dëgjimore ndaj këngëtarit Besart Kelmendi, i njohur me emrin artistik Gjesti. Ai u ndalua të mërkurën nën dyshimin për veprat penale “armëmbajtje pa leje”, “kanosje” dhe “dëmtim i pasurisë”.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur në gjykatë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.
Seanca dëgjimore pritet të mbahet duke filluar nga ora 09:30.
E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pranë zyrave të studios muzikore Onima në Prishtinë. Dyshohet se shkak i incidentit ka qenë një mosmarrëveshje rreth një borxhi paraprak.
Sipas këtyre pretendimeve, këngëtari dyshohet se ka shkuar me armë në dorë në zyrat e studios duke kërkuar një person me inicialet E.Sh. Burimet thonë se ai iu është drejtuar stafit me fjalët: “Ku o se kam me vra”.
Meqenëse nuk e kishte gjetur personin që po kërkonte, dyshohet se në shenjë revolte për mosmarrëveshjen rreth pagesave të borxhit, këngëtari ka dëmtuar inventarin e studios, duke thyer kompjuterë, tavolina dhe xhama, çka ka shkaktuar edhe dëm material.
Po sipas këtyre burimeve, kur në vendin e ngjarjes kanë arritur zyrtarët e Policia e Kosovës, këngëtari është gjetur me armë në dorë, e cila më pas është sekuestruar nga policia.









