Analiza e kampionatit të këtij sezoni sipas fazave nxjerr në pah qartë dy realitete të ndryshme për Dinamon. Skuadra blu ka ndërtuar një bazë të fortë pikësh në dy fazat e para të kampionatit, që sot i jep qetësi në renditjen e përgjithshme. Por nëse merret në analizë vetëm faza e tretë, panorama ndryshon ndjeshëm dhe Dinamo shfaqet si një ekip që do të luftonte për mbijetesë. Shifrat e tabelës e thonë këtë.
ECURIA POZITIVE- Dinamo e nisi sezonin me një fazë të parë shumë pozitive, ku arriti të grumbullojë 17 pikë. Ky ishte një start që e vendosi ekipin mes skuadrave më konkurruese të kampionatit dhe vetëm dy pikë larg ritmit të skuadrave që kryesonin tabelën në atë moment. Edhe faza e dytë konfirmoi stabilitetin e skuadrës blu. Dinamo arriti të marrë 15 pikë të tjera, duke ruajtur një ecuri të mirë dhe duke qëndruar në zonën e sipërme të renditjes. Me 32 pikë të grumbulluara në dy fazat e para, skuadra kishte krijuar një diferencë të rëndësishme nga ekipet që ndodheshin në fundin e tabelës. Kjo bazë pikësh është arsyeja pse sot Dinamo ndodhet në një situatë relativisht të qetë në renditjen e përgjithshme, edhe pse aktualisht jashtë zonës së “Final 4”, megjithëse besimplotë se do arrihet ai objektiv.
MOMENTI NEGATIV- Megjithatë, faza e tretë ka sjellë një ndryshim të ndjeshëm në ecurinë e skuadrës. Në këtë pjesë të kampionatit Dinamo ka grumbulluar vetëm 7 pikë, një nga bilancet më të ulëta në tabelë. Në klasifikimin që përfshin vetëm fazën e tretë, blutë ndodhen në pjesën e fundit të renditjes, në të njëjtin nivel pikësh me Vorën dhe shumë larg skuadrave që kanë dominuar këtë fazë. Kjo do të thotë se nëse kampionati do të niste nga faza e tretë, Dinamo do të ishte një nga skuadrat që do të luftonin për mbijetesë. Diferenca me kreun e kësaj faze është shumë e madhe, pasi blutë kanë 14 pikë më pak se Vllaznia dhe ndodhen larg ritmit të skuadrave që kryesojnë. Megjithatë, realiteti i renditjes së përgjithshme është ndryshe. Falë pikëve të fazave të para, Dinamo ka arritur në kuotën e 39 pikëve dhe mban vendin e pestë në tabelën totale të kampionatit. Kjo diferencë është ndërtuar pikërisht në fillim të sezonit, kur skuadra arriti të mbledhë 32 pikë në dy fazat e para dhe të krijojë një “jastëk sigurie” të rëndësishëm nga zona e rrezikut e njëkohësisht e mban në garë për Europën pasi ka edhe Kupën e Shqipërisë.
KRAHASIMI- Pra, dy fazat e para përfaqësojnë një Dinamo konkurruese dhe të qëndrueshme, ndërsa faza e tretë tregon një skuadër që ka humbur ritmin dhe që në këtë segment të kampionatit renditet mes ekipeve më pak produktive. Pikërisht këtu qëndron edhe kontrasti më i madh i sezonit për blutë. Nga një ekip që në fillim dukej në garë për zonën e sipërme, Dinamo në fazën e tretë ka pasur një rënie të dukshme të rezultateve. Për Dinamon, sfida në vazhdim mbetet rikthimi te stabiliteti që tregoi në pjesën e parë të sezonit. Nëse skuadra arrin të gjejë sërish atë ritëm, mund ta mbyllë kampionatin pa probleme dhe të arrijë “Final 4” në renditje. Në të kundërt, vazhdimi i formës së fazës së tretë mund ta bëjë fundin e sezonit shumë më të komplikuar.








