Përballjet mes Vllaznisë dhe Egnatias kanë ndërtuar me kalimin e viteve një histori interesante dhe të balancuar në futbollin shqiptar. Rivaliteti mes dy skuadrave ka qenë gjithmonë i fortë, ndërsa rezultatet shpesh janë vendosur në detaje, duke prodhuar ndeshje të luftuara dhe me emocione deri në fund.
Në total, Vllaznia dhe Egnatia janë përballur 29 herë në të gjitha kompeticionet. Bilanci i përgjithshëm mbetet relativisht i ekuilibruar, megjithëse me një avantazh të lehtë për skuadrën rrogozhinase. Kuqeblutë kanë regjistruar 8 fitore, ndërsa Egnatia ka triumfuar në 11 raste. Ndërkohë, 10 përballje janë mbyllur në barazim, një tregues i qartë se duelet mes këtyre dy ekipeve kanë qenë shpesh të hapur dhe të paparashikueshëm.
Sezoni aktual 2025-26 ka sjellë një tjetër kapitull interesant në këtë rivalitet. Në fazën e parë të kampionatit, Vllaznia arriti të imponojë lojën e saj dhe të fitojë me rezultatin 2-0, duke marrë një sukses të rëndësishëm ndaj kampionëve në fuqi. Në fazën e dytë, në Rrogozhinë, sfida dhuroi spektakël dhe emocione, duke u mbyllur me barazimin 2-2 pas një ndeshjeje të luftuar deri në minutat e fundit. Ndërkohë, përballja më e fundit mes dy skuadrave në këtë sezon erdhi në javën e 19- të të kampionatit, ku Vllaznia arriti një tjetër sukses të rëndësishëm. Shkodranët fituan minimalisht 1-0 falë golit të Kallakut, një realizim që rezultoi vendimtar dhe i dha kuqebluve tri pikë shumë të vlefshme në këtë duel.
Këto rezultate e bëjnë sezonin aktual pozitiv për Vllazninë në përballjet direkte me Egnatian. Kuqeblutë kanë arritur të ruajnë një ecuri të mirë ndaj rrogozhinasve, duke treguar se dinë të jenë një kundërshtar i vështirë për kampionët në fuqi, pavarësisht statistikave historike që vazhdojnë të anojnë lehtë në favor të Egnatias. Në këtë mënyrë, shkodranët synojnë të ruajnë “trendin” pozitiv edhe në përballjet e radhës mes dy skuadrave.








