Pas pesë fitoresh radhazi, Partizani u rikthye te barazimi në transfertë ndaj Vorës me shifrat 2-2.
Një barazim që mund të konsiderohet si shumë i vlefshëm për kryeqytetasit për vetë mënyrën se si rrodhën ngjarjet teksa skuadra e drejtuar nga trajneri Oltijon Kërnaja e pa veten në disavantazhin e dy golave. Megjithatë, si shpeshherë në këtë sezon, “Demat” treguan forcë karakteri dhe arritën të barazonin, madje golin e barazimit (autogol i Prestigj, e gjetën kur po luanin me dhjetë vetë pas daljes me karton të kuq të Arafat Dumbia.
Duke parë edhe rezultatet e kundërshtarëve në këtë javë të parë të fazës të katërt, te Partizani duhet të jenë të kënaqur pasi Vllaznia dhe Egnatia morën po ashtu nga një pikë në barazimin mes tyre, ndërsa Elbasani që fitoi shkoi në kuotën e 52 pikëve po aq sa shkodranët dhe kështu diferenca me kreun mbetet e njëjta. Sakaq, falë pikës në Vorë, Partizani i fitoi një pikë Dinamos për llogaritë e vendit të katërt me blutë që u mposhtën në kryeqytet nga Teuta me rezultatin 0-1.
Në këtë formë, Partizani i shkëputet me katër pikë diferencë Dinamos dhe është e sigurt në vendin e katërt edhe për të paktën javën e ardhshme kur do të udhëtojë për në Durrës, në transfertën ndaj Teutës. Megjithatë, tashmë të besuarit e trajnerit Kërnaja kanë nisur të mendojnë jo vetëm për vendin e katërt, por edhe për më shumë duke qenë se formula e kampionatit me përgjysmimin e pikëve, ia lejon që të ëndërrojnë titullin kampion. Nëse kampionati do të mbyllej në këtë moment, atëherë në “Final Four”, Partizani do ta kishte Vllazninë dhe Elbasanin vetëm pesë pikë larg, ndërsa Egnatian katër pikë dhe gjithçka mund të ndodhte në tre sfidat e fundit mes këtyre skuadrave.
Por, si është bilanci i Partizanit në këtë sezon me këtë treshe që mund të jenë po ashtu rivalët e të kuqve në “Final Four”? Atëherë, nëse shohim statistikat, kuptojmë se kryeqytetasit statistikat më negative i kanë ndaj shkodranëve teksa në tre ndeshje të këtij sezoni ndaj kuqebluve, nuk kanë regjistruar asnjë fitore. Shkodranët kanë mundur të fitojnë në dy raste, 4-1 në fazën e parë, por atëherë në krye të Partizanit nuk ishte Kërnaja, si dhe në sfidën e fazës së tretë 1-0 në Shkodër. Në mes ndërkohë, në fazën e dytë është një barazim 1-1 i regjistruar në “Arenën e Demave”. Kështu, Partizani ka arritur t’i shkëpusë vetëm një barazim Vllaznisë pa e provuar ende shijen e fitores ndaj tyre. Sa i takon përballjeve me një tjetër rival të mundshëm në “Final Four”, Elbasanin, edhe këtu Partizani nuk ka mundur të shfaqet superior ndaj kundërshtarit në fjalë.
Në tre ndeshje të kampionatit ndaj verdhebluve, të kuqtë nuk kanë regjistruar asnjë fitore me Elbasanin që fitoi 0-1 në ndeshjen e fazë së parë në “Arenën e Demave”, më pas në fazën e dytë erdhi një barazim 0-0 në Elbasan, e më pas një tjetër barazim 2-2 në shtëpinë e Partizanit, aty ku të kuqve iu iku fitorja nga “duart” vetëm në minutat e fundit pas një goli në shtesë të Lajthisë, ndërsa treguan një përmirësim të ndjeshëm të lojës karshi këtij rivali. Totali i pikëve ndaj Elbasanit është vetëm dy falë dy barazimeve. Ndërkohë, në ndeshjet përballë Egnatias, Partizani ka mundur të bëjë më mirë teksa me rrogozhinasit, të kuqtë kanë grumbulluar në total katër pikë. Një barazim pa gola që është regjistruar në kryeqytet në ndeshjen e fazës së parë, e më pas triumfi i Egnatias në Rrogozhinë në fazën e dytë me rezultatin 2- 1, për të ardhur më pas te ndeshja e disa ditëve më parë, kur të kuqtë fituan pastër me shifrat 2-0 në “Arenën e Demave”.
Në total, sa i takon pikëve ndaj këtij rivali, Partizani ka grumbulluar katër pikë duke qenë më mirë se në përballjet me Vllazninë dhe Elbasanin. Në këtë formë, duke parë shifrat dhe statistikat e regjistruara deri në këtë moment të sezonit, patjetër që Partizanit i kërkohet të përmirësohet në këtë aspekt sidomos në rast se skuadrat përballen me njëra-tjetrën në “Final Four” e nëse të kuqtë pretendojnë që këtë sezon të marrin diçka më shumë se thjesht pjesëmarrja në katërshen e parë apo kualifikimi në kompeticionet europiane. Megjithatë, deri në fundin e sezonit ka ende kohë dhe është një fazë e katërt me tetë ndeshje për t’u zhvilluar, teksa të gjithë rivalët e mësipërm, Partizani do t’i takojë edhe njëherë tjetër për të matur forcat e për të kryer ndoshta një përgatitje finale para “Final Four”.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









