Një nga emrat më të mëdhenj dhe më të papërsëritshëm të modës botërore po bën një lëvizje që askush nuk e priste. John Galliano, njeriu që dikur dominonte pasarelat e luksit me teatrin e tij ekstravagant dhe vizionin e guximshëm, po hyn në një partneritet dyvjeçar me ZARA-n. Një bashkëpunim jo “collab” i zakonshëm, por një eksperiment i madh mes artit të haute couture dhe fuqisë së tregut masiv.
Ky bashkëpunim nuk e vendos Galliano-n si drejtor kreativ të ZARA-s në mënyrën klasike. Përkundrazi, ai do të punojë mbi koleksione sezonale, duke marrë si bazë pjesë nga arkivat dhe koleksionet e mëparshme të ZARA-s.
Ideja është dekonstruktimi dhe rindërtimi i tyre në krijime të reja, një proces shumë i lidhur me ADN-në e tij artistike. Pra, nuk bëhet fjalë për një “koleksion Galliano” të pastër, por për një reinterpretim të ZARA-s përmes syrit të tij.
Pikërisht kjo e bën lajmin kaq të bujshëm. Sepse për herë të parë në këtë nivel, një figurë që ka ndërtuar identitetin e saj mbi luksin ekstrem dhe pasarelën spektakolare, po hyn në një nga markat më të mëdha të modës masive në botë. Është një përplasje mes dy botëve: njëra e rrallë, elitare dhe teatrale, tjetra e shpejtë, globale dhe e aksesueshme.
Për të kuptuar peshën e këtij momenti, duhet të kuptosh kush është John Galliano.
Ai është një nga mendjet më kreative që ka njohur moda në dekadat e fundit. U bë i njohur që në fillim me koleksionin e diplomës në Central Saint Martins, një punë aq e fortë sa u ble menjëherë dhe e vendosi në hartën e modës.
Kulmi i parë i madh erdhi në Paris. Fillimisht në Givenchy, si stilisti i parë britanik që drejtoi një shtëpi franceze të këtij niveli, dhe më pas në Dior, ku shkroi historinë.
Në Dior, Galliano krijoi spektakël, narrativë dhe imazhe që mbetën në kulturën pop. Koleksionet e tij ishin si teatro të gjalla, të mbushura me referenca historike, dramë dhe një sens të fortë identiteti.
Në atë periudhë lindën edhe disa nga ikonat më të njohura të modës. Dior Saddle Bag, printet e famshme si ai i gazetës, apo momentet e tapetit të kuq që ndryshuan mënyrën si moda lidhet me Hollywood-in. Ai e ktheu Dior në një makineri jo vetëm kreative, por edhe kulturore.
Pas një rënieje të fortë në 2011 që e largoi nga Dior dhe e la jashtë industrisë për një periudhë, Galliano bëri një rikthim që pak kush e besonte.
Në Maison Margiela, ai u shfaq ndryshe. Më i përmbajtur, më teknik, por po aq brilant. Koleksionet e tij të fundit në Margiela u vlerësuan si ndër më të fortat e karrierës së tij, një dëshmi se ai nuk ishte vetëm një yll i së kaluarës, por ende një forcë kreative në kulm.
Dhe pikërisht pas këtij kapitulli të suksesshëm, ai zgjedh të shkojë te ZARA. Një vend ku audienca është shumë më e gjerë, ritmi është më i shpejtë dhe loja është krejt tjetër. Kjo është ajo që e bën këtë bashkëpunim kaq intrigues. Është një artist që po hyn në një sistem krejt tjetër dhe po përpiqet ta rishkruajë nga brenda.
Koleksioni i parë pritet në shtator 2026 dhe tashmë industria po pret me kuriozitet. A do të shohim një ZARA më artistike, më të guximshme, më “Galliano”? Apo do të jetë një version i filtruar i tij për publikun e gjerë?
Një gjë është e sigurt. Kur një emër si John Galliano lëviz, moda nuk qëndron e njëjtë!









