Në pritje për të kuptuar planin e Sylvinho-s në lidhje me Ernest Muçin, rolin që sulmuesi do të ketë në sfidat e fazës “play-off”, në Turqi, në radhët e Trabzonspor nuk ka asnjë dyshim në lidhje me të ardhmen e tij. Ekipi turk do të shfrytëzojë të drejtën për të blerë kartonin e tij nga Beshiktash.
Mediat janë të bindur në këtë pikë, madje kanë zbuluar edhe detaje nga kontrata e re që Muçi pritet të firmosë. Sa i takon kartonit, Trabzonspor do të paguajë 8,5 milionë euro në arkën e Beshiktash, por këtë shumë do ta paguajnë me 5 këste. Në lidhje me lojtarin, Muçi do të firmos një kontratë 3-vjeçare, me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit.

Aktualisht, sulmuesi kuqezi përfiton 1,8 milionë euro në sezon, ndërsa ka të përfshirë edhe bonuse të ndryshme që e dërgon në 2 milionë euro pagën totale. Me kontratën e re, gjithnjë sipas mediave në Turqi, për Muçin parashikohet një rritje e ndjeshme e pagës së tij sezonale.
Ylli shqiptar është kthyer në liderin absolut tek ekipi i Trabzonspor ku deri në këtë pikë të sezonit ka shënuar 10 gola dhe ka dhuruar 3 asisste në 22 ndeshje.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb







