Aktori legjendar i filmave aksion, Chuck Norris, është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga familja e tij përmes një postimi në rrjetet sociale, duke bërë të ditur se ai ndërroi jetë në paqe, i rrethuar nga njerëzit më të dashur.
“Me zemra të thyera ndajmë lajmin për ndarjen e papritur nga jeta të Chuck Norris. Edhe pse dëshirojmë të ruajmë privatësinë për rrethanat, ai ishte pranë familjes dhe në paqe”, thuhej në deklaratë. Familjarët e përshkruan atë jo vetëm si një ikonë të kinematografisë dhe arteve marciale, por edhe si bashkëshort të përkushtuar, baba të dashur dhe shtyllë të familjes.
Chuck Norris, i lindur si Carlos Ray Norris në Oklahoma në vitin 1940, u bë i famshëm fillimisht përmes filmave të arteve marciale në vitet ’70 dhe ’80. Ai luajti në produksione të njohura si A Force of One dhe An Eye for an Eye, duke u shndërruar në një nga yjet më të mëdhenj të aksionit në Hollywood.
Karriera e tij mori një tjetër dimension me serialin televiziv Walker, Texas Ranger, i cili debutoi në vitin 1993 dhe u bë një nga më të ndjekurit për vite me radhë.
Para suksesit në kinema, Norris shërbeu në Forcat Ajrore të SHBA-së dhe gjatë qëndrimit në Kore mësoi karate, disiplinë që më pas e ktheu në profesion dhe trampolinë drejt famës. Ai ishte gjithashtu mik dhe bashkëpunëtor me legjendën e arteve marciale Bruce Lee, me të cilin luajti në filmin e njohur Way of the Dragon.
Përtej ekranit, Norris njihej për disiplinën, besimin dhe përkushtimin ndaj familjes, duke lënë pas një trashëgimi të fortë që ka frymëzuar miliona njerëz në mbarë botën.









