Aktorja e njohur turke, Hande Erçel, ka reaguar për herë të parë publikisht pas lajmeve që e lidhin me një hetim të madh për drogë në Turqi. Emri i saj është përmendur në kuadër të një operacioni të gjerë të zhvilluar në Stamboll, ku disa persona të njohur janë vënë nën hetim dhe për disa prej tyre janë lëshuar edhe urdhra arresti.
Pas përhapjes së lajmeve në media, Erçel ka vendosur të thyejë heshtjen dhe të sqarojë pozicionin e saj. Në reagimin e saj, ajo ka bërë të ditur se prej rreth një muaji ndodhet jashtë vendit për arsye studimi dhe se informacionin mbi këtë çështje e ka marrë përmes mediave, njësoj si publiku.
Aktorja ka theksuar se është e gatshme të rikthehet në Turqi për të dhënë dëshminë e saj dhe për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të situatës. Ajo është shprehur e bindur se e vërteta do të dalë në pah dhe se drejtësia do të bëjë punën e saj.
“Jam një person që e dua vendin tim dhe kam besim te shteti dhe drejtësia turke. Besoj se e vërteta do të dalë në pah dhe gjithçka do të sqarohet sa më shpejt”, është shprehur Erçel në deklaratën e saj.
Ndërkohë, autoritetet turke vijojnë hetimet, të cilat janë ende në zhvillim dhe pa një përfundim zyrtar deri në këto momente. Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe mediatike dhe pritet që në ditët në vijim të ketë më shumë detaje mbi përfshirjen e personave të përmendur në këtë operacion.









