Shqiptarët duhet të presion përsëri për t’u kualifikuar për në Botëror. Kuqezinjtë e Sylvinhos u ndalën në gjysmëfinalen e Play Off, ndërsa Kosova ra vetëm në finale, pas një humbje minimale, në një ndeshje ndaj Turqisë e cila mund të shkonte edhe ndryshe. Legjenda e kombëtares, Klodian Duro, në një intervistë për Sport News në News 24, bëri analizën e tij. Ai flet për kombëtaren, lojtarë individualë, të ardhmen e Sylvinhos, thashethemet për një kandidim të mundshëm të tij në stolin kuqezi por në bisedën me Trevisa Tufën, ndan mendimin e tij edhe për dardanët.
2 përfaqësuese 1 komb, të dyja ndalen në fazën “Play-off” të Botërorit, për kë u trishtove më shumë? Ku kishe më shumë pritshmëri?
Për të dy përfaqësueset tona, ishim shumë pranë realizimit të ëndrrës. Duhet të ishim të lumtur nëse njëra do shkonte në Botëror. Fatkeqësisht, asnjëra nuk ia doli, edhe pse ishim fare pranë realizimit të ëndrrës.
Në Botëror, madje për herë të 3-të radhazi nuk shkoi as Italia, pse ne na la një shije kaq të keqe disfata në Poloni?
Ne ishim pranë. Duke ditur kundërshtarët, ishin të kalueshëm. Në Botëror shkon Suedia që e mbylli pa asnjë fitore, me vetëm 2 pikë. Kjo do të thotë se forma si e Polonisë, ajo e Suedisë, nuk ishte më e mira e mundshme.
Pati një diskutim të madh mbi zgjedhjet e Sylvinho-s, para dhe gjatë ndeshjes. A është përgjegjësi kryesor Sylvinho për eliminimin, apo fatura e këtij zhgënjimi duhet ndarë?
Në futboll kur humbet, aq më tepër që u mundëm 2 herë, fatura më e madhe i shkon trajnerit, ky është një ligj parimisht në futboll. Sylvinho është profesionist i madh, ka bërë mirë në eleminatore, në këtë periudhë të fundit, ajo fitore në Serbi ishte më e madhja. Në formacionin fillestar, e mendoja që nuk do bënte ndryshime në vendosje dhe lojtarë. Domethënë me një 4-3-3, i fokusuar te mbrojtja fillimisht dhe më pas çfarë do sjelli në fazën ofensive. Në momentin që ke potencial ofensiv, duhet ta shfrytëzosh. Në kombëtare nuk ka formacion fiks.
Muçi dhe Mehmeti? Përderisa i ke, duhet t’i shfrytëzosh. Në vend që t’i japësh 15-20 minuta, jepi 45 minuta. Po të bëj krahasim me eleminatoret që janë mbajtur më herët, në vend që të ecim përpara, kemi bërë hapa mbrapa. Ndryshimi që vura re, kemi luajtur me 3 mesfushorë stabilë.
Kryfjalë e këtij debati ishte Ernest Muçi, një lojtar që në fakt të ngjan, një 10-sh, lojtar me shumë klas. U aktivizua pak ndaj Polonisë, ndërsa u largua nga grumbullimi për arsye dëmtimi, por po stërvitet rregullisht me Trabzonspor dhe pritet të jetë në fushë ndaj Galatasaryt në fundjavë. A ka një çështje “Muçi” në Kombëtare? A po veprojmë keq me këtë talent?
Çështje Muçi mund të ketë për ne e pëlqejmë. Trajneri thotë që do ftoj ato që janë më në formë, kjo nuk ndodh te loja. Lojtari më në formë deri tani ka qënë Ernest Muçi, me minutazh të plotë te Trabzoni. Muçi mund t’i bëjë të gjitha rolet në ofensivë, kështu ka luajtur te klubi i tij. Trajneri Fatih Tekke i ka dhënë besim dhe diçka e tillë e ka përkthyer në gola. Nëse Muçi do e mbante pranë dhe do e aktivizonte në një fushë të njohur për të si ajo e Varshavës, me siguri do bënte mirë. Këtu Sylvinho këmbënguli shumë te mendësia e tij difensive.
3 vite në krye të Kombëtares, Sylvinho na dërgoi në Evropian dhe në “play-off” të një Botërori. Në këndvështrimin tënd, a është ky një cikël pozitiv, ose më saktë me çfarë note do e vlerësoje?
Sylvinho ka dhënë gjithçka nga vetja e tij, është i ri në skenën europiane, me pak eksperienca. Iu dha një mundësi e artë, ne jemi kombëtare që merr pjesë në eleminatore në Europian. Ti ke mundësi që të rrisësh edhe karrierën tënde, një lojtar i njohur, paralel me ato që po bën për kombëtaren, zhvillon edhe karrierën si trajner. Ai ka patur fatin të ketë gamë të gjërë lojtarësh. Mendoj që ka bërë një hap mbrapa, pasi luajti ndryshe në fillim, më pas ndryshoi sërish.
Duro, kam një pyetje të drejtpërdrejtë, për të cilën dua një përgjigje të drejtpërdrejtë. A duhet të vijojmë me Sylvinho-n?
Unë mendoj që Sylvinho-s i duhet një rifillim i ri. Ka bërë mirë dhe unë jam i sigurtë që ai në të ardhmen ka mundësi të drejtojë një klub. Mendoj se do ketë vazhdimësi të mirë në tregun e futbollit.
Klod, je aktiv edhe në rrjetet sociale, shpesh edhe viral, Së fundmi, keni shprehur dëshirën për të qenë në krye të ekipit Kombëtar. A është realisht një ambicie e juaja? Apo thjesht dëshira e një ish lojtari që ka dhënë shumë për ekipin përfaqësues?
Në momentin që mbylla futbollin e luajtur, iu futa karrierës si trajner. Në hapat e mi të parë kam trajnuar në Shqipëri, me një ekip si Kukësi u futëm në Kupat e Europës dhe paralelisht fituam Kupën e Shqipërisë. Kur e nisa karrierën, ëndrra ime ishte që një ditë të jem në stolin e kombëtares.
Ti e di, që për të shkuar në atë post, duhet të kalosh fillimisht nga Duka. Ke biseduar? A keni patur kontakte apo a është ai në dijeni të dëshirës tuaj. A do t’i dërgosh tani një “sms” në distancë?
Presidenti Duka i njeh mirë gjërat që rrotullohen rreth futbollit. Jam ndër të parët që jam njohur me Dukën, kemi punuar bashkë në ato suksese të ekipit kombëtar. Unë si lojtarë, bashkë me gjithë shokët e mi, kemi marrë fitore të mëdha, si ato me Greqinë kampione Europe, Rusinë, me Suedinë, me Portugalinë e Holandën. Ne u rritëm bashkë, edhe ne si kombëtare por edhe Duka mori eksperiencë. Duka ka vazhduar po i njëjti në Federatë, ka meritë të madhe për sukseset e Shqipërisë, kemi një stadium për të patur zili. Duke qënë se kemi arritur dy herë në Europian, tani është zëvendes-president i UEFA, siç thashë e njeh më mirë se kushdo ambientin e futbollit shqiptar. Unë kam qënë ndër të paktët, që kur Duka vinte në hotel, thoshte ku është Duro?! Kohën më të madhe e kaloja me Presidentin Duka.
Më bëri përshtypje një koment i legjendës Vasil Ruci në Neës24, i pyetur nëse ishte pro apo kundër idesë për të patur në krye të kombëtares një trajner shqiptar. Vendosni kë të doni u shpreh, mjafton të jetë inteligjent. Ju si mendoni a ka ardhur koha për një trajner shqiptar?
Unë besoj që ka ardhur koha, në fillimet e tij i kam dhënë të drejtë Dukës. Në fillim shkolla e trajnimit nuk kishte këto kushte që ka sot. Sot jemi të licensuar në UEFA, Federata është rritur në nivel. Ka ardhur koha që kjo federatë të prodhojë trajner për ekipin kombëtar. Unë mendoj që me lojtarët që ka Shqipëria, jam i bindur që çdo vit e dërgojmë në Europian dhe e dërgojmë në botëror për herë të parë.
Mqs jemi te Kosova. U eliminuan në hapin e fundit, por në Kosovë po i trajtojnë si heronj, madje u dekoruan. Shkurtimisht, si e sheh të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës?
Kosova ka bërë hapa të shpejtë si nivel futbolli, për të mos thënë që është një hap më lart se ne. Ka avancuar shumë. Ka ndërruar shumë trajnerë, por me Fodan ka krijuar stabilitet.
Në ndryshim nga ne, Kosova me në krye Fodan ka shfrytëzuar potencialin e lojtarëve. Gallapeni luante me Prishtinën një vit më përpara, është 19-vjeçar dhe ishte kryesori në fushë. Ndaj Sllovakisë Hoxha luante, ndeshjen e parë dhe realizoi golin e parë. Kosova ka shfrytëzuar më mirë se ne elementët e rinj. Ne nuk kemi arritur dot të aktivizojmë të rinjtë, pasi Sylvinho ka qëndruar besnik i filozofisë së tij.
Sigurisht, si shqiptar që janë edhe ata, po bëjnë zhurmë, akuzat ndaj Vedat Muriqit, më shumë se sa akuzat e një tifozi të rëndomtë, të shqetëson hapësira që iu dha një personi anonim. U përfshitë edhe ju në distancë në një diskutim të tillë…
Të gjithë mund të japin opinione, mendime por në fund vlen ajo që thonë ata që e dijnë çfarë ndodh në fushë, ato që kanë luajtur në nivel superior dhe njerëzit që merren me atë punë. Vedati është i prekur por kushdo mund të flasë budallallëqet e veta, por nuk duhet t’i japim rëndësi njerëzve të pavlerë. Muriqi luan në Spanjë dhe është golashënuesi i dytë më i mirë, ai mban lart emrin e Kosovës në një vend që nuk e njeh Kosovën.
Kush shkon në Botëror e para?
Pavarësisht se Kosova kaloi një hap para nesh, unë mendoj që Shqipëria. Unë kam besim se me trajnerin Duro do jetë në Botëror për herë të parë në histori.








