Në Angli, ka pak dilema në garën për titull, me Arsenal që është shumë pranë, por mbetet e hapur dhe shumë e ndezur beteja për të siguruar një vend në Champions. Në garë me kohën është edhe Liverpool, me të kuqtë që shpresojnë të shpëtojnë atë që ka mbetur këtë sezon, të sigurojnë të paktën një vend mes 4 ekipeve të para, për momentin ndodhen 5 pikë larg.
Në të njëjtën kohë, në shtëpinë e kuqe mbetet e hapur edhe çështja e trajnerit, me Arne Slot që ka qenë dhe mbetet në dyshim të fortë. Numrat nuk janë në favor të tij pasi për herë të parë që pas sezonin 2015/16 të kuqtë kanë humbur 10 ndeshje vetëm në Premier League. Sipas mediave angleze, e ardhmja e Arne Slot do të vendoset në 2 javët e ardhshme, ku ekipi i tij është në garë në FA Cup, Champions dhe Premier League.
Në FA Cup i sfidon Man.City, ndërsa në Champions përballen me PSG. Në kampionat fillimisht do të luajnë me Fulham dhe më pas me Everton ku kërkohen 6 pikë të plota për të qëndruar në garë.
Sigurisht, ky nuk ka qenë një sezon i lehtë për Slot, ku mes disa mungesa të rëndësishme dhe formës jo të mirë të disa lojtarëve ka qenë i detyruar të bëjë llogari. Është e qartë që e ardhmja e Slot do të përcaktohet në varësi të rezultateve, si do të mbyllin këtë sezon, por gjasat janë të pakta që të kuqtë të vijojnë me holandezin në stol.








