Fakti që nuk arritën të vinin në jetë një tjetër mrekulli, këtë herë edhe më të madhe, të kualifikonin Shqipërinë në Botëror, ka pasur një impakt të madh te shumë legjionarë kuqezi. Kapiteni Berat Gjimshiti dhe mesfushori Ylber Ramadani, të dy zbritën si titullarë për ekipet respektive në sfidën Lecce-Atalanta. Ekipi bergamas triumfoi me rezultatin e pastër 0-3 në transfertë, në një sfidë që në letër dukej e vështirë, por që në fushë e zgjidhën lehtë.
Fillimisht ishte Scalvini që zhbllokoi ndeshjen në minutën e 29-të, ndërsa në fraksionin e dytë Krstovic dhe më pas Raspadori realizuan edhe dy herë të tjera duke sigluar shifrat në 0-3. Gjimshiti qëndroi në fushë deri në minutën e 70-të, ndërsa dy minuta më herët kishte dalë nga loja edhe Ramadani. Gjimshiti u vlerësua nga mediat me notën 7,2, ndërsa Ramadami me 6.9. Pas ndeshjes, trajneri i Palladino zbuloi se gjendja psikologjike e Gjimshitit nuk ishte e mirë përpara këtij takimi, kjo pasi eliminimi me Shqipërinë e ka renduar jo pak:
“Rikthimi pas pauzës së kombëtareve nuk është i lehtë. Kemi zhvilluar biseda personale me lojtarët, përpos të qenit lojtarë, ata janë fillimisht njerëz. Nuk po flas këtu vetëm për futbollistët italian, por edhe për Gjimshitin e Zalevski-n. Duhet t’i japim besim atyre, tani duhet të përqendrohen 100% tek Atalanta dhe të japin gjithçka nga vetja deri në fund”, u shpreh trajneri i Atalantës.









