7 javë përpara fundit të Serie A, Juve është vetëm 1 pikë larg objektivit të tyre kryesor, Champions League. Nga ky objektiv jetik varet jo vetëm e ardhmja e Luciano Spallettit, por dhe i gjithë projekti i “Zonjës së Vjetër” për sezonin e ri. Në Torino janë të qartë për peshën e këtij objektiv, por gjithashtu janë të qartë se nuk do të jetë e lehtë, në një kohë kur përpara kanë një ekip si Como, një emër i vogël në skenën e futbollit italian, por që po zhvillon një super sezon.
Kjo është një fundjavë jo pak përcaktuese, pasi Como pret Inter, ndërsa Juventus luan në transfertë përballë Atalantës. Kjo është një sfidë shumë delikate për më tepër që Spalletti duhet të bëjë llogaritë pa pinjollin e tij, McKennie, me amerikanin që është i skualifikuar për këtë takim për shkak se ka plotësuar numrin e kartonëve. Në vend të McKennie, Spalletti pritet t’i besojë një vend në formacion Koopmeiners.
Një tjetër mungesë e madhe është edhe Vlahovic, me serbin që pësoi një dëmtim në pulpë dhe pritet të mungojë në 3 javët e ardhshme. Spalletti është mësuar tashmë pa Vlahovic, me David që pritet të zbres në Bergamo nga minuta e parë. Kjo është një provë e fortë edhe për ish sulmuesin e Lille, duhet të bind stafin e Zonjës së Vjetër se mund t’i besojnë edhe për sezonin e ri.






