Në pritje për të kuptuar se kush do të jetë trajneri i ekipit përfaqësues, Federata Shqiptare e Futbollit bëri zyrtare miqësoren e parë për muajin qershor. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, FSHF njoftoi se më 6 qershor, në orën 20:00 në “Air Albania” do të luhet miqësorja Shqipëri-Luksemburg.
Ky është vetëm testi i parë, pasi FSHF në reagimin për mediat shtoi se në vijim do të konfirmohet një tjetër test miqësor. Në daljen e tij për mediat, pak ditë më parë, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, konfirmoi se mbeten në pritje të një përgjigje nga ana e Sylvinho-s, nëse do të vijojnë së bashku, nëse do të arrijnë një akord për të rinovuar kontratën aktuale e cila përfundon në korrik.

Duka ishte i qartë teksa shtoi se trajneri i ri, qoftë ky Sylvinho ose jo do të vendoset përpara miqësoreve të muajit qershor. FSHF nuk dëshiron të bëjë të njëjtin gabim ashtu si me Edy Reja-n duke mbajtur italian deri në fund të kontratës, ndërsa Sylvinho u detyruar që sfidën e parë ta luante në një ndeshje zyrtare, kualifikuese, si ajo kundër Polonisë në Varshavë.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb







