Derbi i xhiros së 30-të në AlbiMall Superligën e Kosovës ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit ka përfunduar pa fitues, me rezultat 1:1, në përballjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe me raste në të dyja anët, por pjesa e parë u mbyll pa gola, përkundër tentativave serioze të të dy skuadrave.
Në pjesën e dytë, kishte dramë. Në minutën e 51-të, Senad Jaroviq realizoi për Gjilanin pas asistimit nga kapiteni Armend Thaqi, por goli u anulua pas rishikimit në VAR, për shkak të një ndërhyrjeje të palejuar në ndërtimin e aksionit, të konstatuar nga gjyqtari Genc Nuza.
Megjithatë, vetëm pak minuta më vonë, Gjilani arriti të kalojë në epërsi. Në minutën e 60-të, Jaroviq ishte i saktë nga pika e bardhë për 1:0, pasi që paraprakisht u akordua penallti pas konsultimit me VAR. Në të njëjtën situatë, mbrojtësi Christopher Mamengi u përjashtua nga loja pas kartonit të dytë të verdhë, duke lënë Prishtinën me një lojtar më pak.
Reagimi i bardhekaltërve ishte i menjëhershëm. Vetëm dy minuta më vonë, Arjol Bllaca barazoi shifrat në 1:1 me një goditje të fuqishme brenda zonës.
Deri në fund të takimit, të dy skuadrat krijuan raste të tjera shënimi, përfshirë edhe goditje të shtyllës, por rezultati mbeti i pandryshuar.
Pas kësaj ndeshjeje, Prishtina renditet në vendin e pestë me 45 pikë, një më shumë se Gjilani që mban pozitën e gjashtë.
Xhiroja e 30-të vazhdon të dielën me ndeshjet: Drita –Llapi, Ballkani –Ferizaj dhe Dukagjini –Malisheva.








