Merkatoja e verës pritet të jetë një nga më të nxehtat për legjionarët shqiptarë, me disa prej emrave kryesorë që ndodhen në momente vendimtare të karrierës.
Nga lojtarë që kërkojnë një hap cilësor në klube më të mëdha, te ata që kanë nevojë për rifillim pas dëmtimeve apo mungesës së minutazhit, kjo verë mund të ndryshojë ndjeshëm hartën e Kombëtares. Lëvizjet që do të bëhen nuk kanë rëndësi vetëm në aspektin individual, por edhe për balancat dhe forcën e Shqipërisë në ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare.
ARMANDO BROJA– Situata e tij mbetet ndër më të ndërlikuarat mes legjionarëve shqiptarë. Pas një sezoni të vështirë te Bërnlei, i shoqëruar me pak minuta dhe rënie nga kategoria, Broja ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm. Talenti dhe cilësitë e tij nuk vihen në diskutim, por mungesa e vazhdimësisë ka ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e tij. Ideja e një kalimi te Barcelona tregon ambicie, por realisht ai ka nevojë për një ambient ku të luajë rregullisht. Një transferim i zgjuar, në një ekip ku është titullar, mbetet zgjidhja më e arsyeshme për të rikthyer formën dhe besimin, aq më tepër për vetë faktin se Barcelona nuk ka shfaqur interes për të, por agjentët e tij e kanë vetëofruar te katalanasit. Për sulmuesin kuqezi, opsioni më i mirë do të ishte ndoshta largimi nga Premier Liga për të provuar.
KRISTIAN SHPENDI– Një nga emrat më të nxehtë të momentit në Itali, është padyshim sulmuesi shqiptar që aktivizohet me Çezenën në Serinë B italiane. Performancat e tij kanë tërhequr interes konkret nga klube si Lacio dhe Juventus dhe në mediat italiane, është raportuar se shumë klube të tjera kanë shfaqur interes e padyshim dy të parat janë skuadrat më elitare. Shpendi është në fazën ideale për të bërë hapin e madh dhe merkatoja e verës mund ta çojë në një nivSITUATA el tjetër. Pyetja kryesore është nëse do të zgjedhë menjëherë një “big” apo një hap të ndërmjetëm për të garantuar minutazh.
STIVEN SHPENDI– Ashtu si Kristiani, edhe Stiveni po kalon një moment shumë të mirë në kampionatin italian me Empolin dhe është një nga golashënuesit më të mirë në kampionat. Të dy binjakët, kanë shansin e artë për të provuar një skuadër më të madhe dhe në verë, nuk përjashtohet mundësia që të ketë lëvizje për ta në drejtim të Serisë A italiane, duke tentuar një hap më të madh në karrierë.
KRISTJAN ASLLANI– Pas një eksperience jo bindëse te Torino, Asllani u transferua me shumë bujë te Beshiktashi por duke se kthimi te Interi është i pashmangshëm. Mesfushori i Kombëtares nuk ka bindur me fanellën e skuadrës nga Stambolli dhe do të rikthehet sërish në kampionatin italian, aty ku ai duhet të zgjedhë mes qëndrimit për të luftuar për një vend në një ekip elitar, apo një huazimi tjetër ku mund të luajë më shumë. Në këtë fazë të karrierës, minutazhi është jetik për zhvillimin e tij aq më tepër pas një momenti jo të mirë dhe dy transferimeve që mund të konsiderohen dështime.
ERNEST MUÇI– Në formë të shkëlqyer te Trabzonspori, Muçi ka rritur ndjeshëm vlerën e tij në treg. Megjithatë, e ardhmja mbetet e paqartë pasi klubi turk ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për ta blerë. Nëse vazhdon me këtë ritëm, ai mund të bëjë një hap drejt kampionateve më të forta. Trabzonspori me shumë gjasa do të blejë kartonin e tij dhe ideja është që Muçi të shitet sërish, menjëherë pasi të blihet kartoni i tij.
YLBER RAMADANI– Mesfushori i Kombëtares ka zgjedhur stabilitetin duke rinovuar me Leçen edhe për një sezopn tjetër, megjithëse interesi nga Torino tregon se performancat e tij janë vlerësuar. Ramadani mbetet një nga lojtarët më konstantë dhe një nga lojtarët me më shumë kilometra në kampionatin italian, teksa rinovimi nuk e pengon që të mendojë një tjetër largim në merkaton e verës, ku Torino është një opsion real për maratonomakun e Kombëtares.
ARDIAN ISMAJLI– Mbrojtësi kuqezi po zhvillon një sezon shumë të mirë në Serie A, duke tërhequr vëmendje nga disa klube. Megjithatë, gjasat janë që të qëndrojë te Torino për të konsoliduar pozitat dhe për të ruajtur stabilitetin e vazhdimësinë që ka formuar te “granadat”, sidomos me afrimin e trajnerit D’Aversa që ka rikthyer qetësinë dhe për Ismajlin, është një nga trajnerët e preferuar në Itali.
NEDIM BAJRAMI– Mesfushori nga Tetova po kalon një moment shumë të vështirë në karrierën e tij dhe largimi nga Rejnxhërs, në këtë pikë të karrierës duket i pashmangshëm. Ai pritet të largohet nga Rejnxhërs dhe një rikthim në Serie A shihet si opsioni më i përshtatshëm për profilin e tij. Bajrami ka treguar më parë se përshtatet shumë mirë me futbollin italian teksa pikërisht në kohën kur luante në Itali, kishte edhe periudhën më të mirë në aspektin personal dhe në karrierën e tij.
MARASH KUMBULLA– Transferimi i verës te Majorka, u duk se do të ishte një hap i madh për mbrojtësin kuqezi, megjithatë kur kanë mbetur edhe pak javë nga fundit, historia e tij po flet ndryshe. Dëmtimet e shumta kanë ndikuar negativisht në aventurën e tij te Majorka dhe largimi duket vetëm çështje kohe, ku sërish do të rikthehet në Itali për të qenë pjesë e Romës fillimisht e më pas për të kërkuar një të ardhme. Ai ka nevojë për një ambient të ri ku të rifitojë formën fizike dhe vazhdimësinë, elementë që kanë munguar në sezonet e fundit.
BERAT GJIMSHITI– Një nga emrat më interesantë të merkatos për shkak të situatës kontraktuale me Atalantën, është padyshim mbrojtësi dhe kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti. Në vitin e fundit të kontratës dhe pa rinovim, ai mund të largohet me parametra zero. Interesi nga Fiorentina e bën situatën edhe më intriguese. Për një lojtar me eksperiencën e tij, kjo mund të jetë një mundësi ideale për një kontratë të fundit të rëndësishme në karrierë
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









