Dinamo nuk arriti të linte gjurmë në javën e 33-të të Superiores, duke u larguar me një humbje me rezultatin 3-1 ndaj Flamurtarit. Veç humbjes që ishte edhe më e thella këtë sezon për blutë, skuadra e Dajës humbi edhe shansin për t’u shkëputur në vendin e katërt, duke hedhur kështu një hap të gabuar dhe duke ndjekur rrugën e Partizanit.
Deri në fund të sezonit të rregullt, kanë mbetur edhe 3 javë. Këtë sezon, Dinamo ka vuajtur jo pak nga mungesat dhe herë kartonët e herë dëmtimet, e kanë penalizuar disi trajnerin Daja duke e bërë që të ketë alternativa të limituara. Në Vlorë, ishin disa futbollistë të dëmtuar dhe për sfidën e radhës që Dinamo do të ketë ndaj Egnatias në shtëpi, mungesat janë shtuar dhe do të ketë mungesa shumë të rëndësishme në kampin blu për shkak të kartonëve të verdhë që i shtohen atyre që ishin jashtë, duke shtuar hallet për trajnerin Daja.
GJENDJA E SKUADRËS- Saliu Guindo, Lorran, Ibrahim Mustafa, Andre Teikseira dhe Bernard Berisha nuk ishin me skuadrën në Vlorë për shkak të dëmtimeve që kishin dhe pritet që disa nga këto lojtarë, të mungojnë edhe në ndeshjen e radhës ndaj kampionëve në fuqi. Bernard Berisha është rikthyer në stërvitje dhe gjendja e tij do të shihet gjatë ditëve në vijim ndërkohë që në pritje do të jetë stafi edhe për Teikseiran i cili ka pasur një kontraktim dhe gjendja e tij do të vlerësohet. Pjesa tjetër, deri më tani ka qenë në gjendje optimale fizike dhe nuk ka pasur dëmtime teksa sinjale të mira kanë dhënë edhe Aliji, Neziri e Qefalija të cilët kanë lënë pas problemet.
PEZULLIMET– Krahas lojtarëve që mungojnë për shkak të dëmtimeve, Dinamos i shtohen edhe pezullimet e lojtarëve që ndaj Flamurtarit u ndëshkuan me kartonë të verdhë. Kështu, Bruno Dita dhe Lorenco Vila u ndëshkuan nga Erjon Bastari me kartonë të verdhë në takimin ndaj kuqezinjve, duke plotësuar numrin e 4 të verdhëve. Për pasojë, të dy lojtarët do të mungojnë në takimin e së shtunës në “Air Albania”, aty ku Daja tashmë shpreson që të rikuperohet Teikseira në kohë pasi alternativat në mbrojtje, mungojnë për momentin. Sa i përket mesfushës, Daja ka qetësi pasi ka lojtarë më të shumtë në numër dhe thuajse të gjithë mesfushorët janë të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre për takimin e javës së 34- t.
TË RREZIKUAR– Veç lojtarëve që kanë humbur ndeshjen ndaj Egnatias, janë disa të tjerë në listë që rrezikojnë të mungojnë ndaj Vorës nëse ndëshkohen në fundjavë. Kështu, Malomo, Berisha, Nani dhe Teikseira janë në kuotën e 3 kartonëve të verdhë dhe nëse ndaj Egnatias ndëshkohen me kartonë të verdhë, atëherë lojtarët në fjalë do të mungojnë në ndeshjen e radhës. Vlen të theksohet fakti se kartonët e verdhë do të zerohen në fazën e “Final 4”, teksa do të mbarten vetëm kartonët dhe ndëshkimet nga Komisioni i Disiplinës.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









