Të dorëzuar në garën për titull, Reali thjesht arrin të shtyjë festën e Barçës, festë e cila tani mund të vijë më 10 maj në “El Clasico”, për tifozët blaugrana dhe jo vetëm, ky do të ishte një fund perfekt. Pa Mbappe, ndaj Espanyol, ishte Vinicius jr ai i cili bëri liderin, me sulmuesin brazilian që realizoi një “dopietë” golash.
Vendasit rezistuan fort, e bënë diçka të tillë deri në minutën e 55-të, ku Vinicius me një aksion fantastik, me një lëvizje të bukur brenda në zonë tundi rrjetën duke kaluar Realin në avantazh. Thuajse në të njëjtën formë, sërish nga një aksion i ideuar nga Vinicius, por këtë herë në një version edhe më spektakolar, braziliani realizoi golin e dytë duke hipotekuar suksesin e Real Madrid pasi rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund. 4 javë përpara fundit të La Liga-s, ekipi i Arbeloa-s ndodhet 11 pikë larg Barcelonës, tani misioni i tij i radhës, mbase i fundit në krye të Reali-t është të shmang festën e Barçës në “El Clasico”.
Pas suksesit 0-2 përballë Espanyol, në konferencë për shtyp, trajneri Arbeloa u pyet për paraqitjen e Vinicius dhe mungesën e Mbappe-s në stadium, me francezin që kishte vendosur të udhëtonte drejt Cagliari-t: “Vinicius është lojtari që të gjithë trajnerët do të dëshironin ta kishin, ai është një person fantastik. Mbappe? Planifikimi për lojtarët e dëmtuar bëhet nga stafi mjekësor i ekipit, sa i takon kohës së lirë ata mund të bëjnë atë që duan”, u shpreh Arbeloa i cili në fund bëri dhe një koment në lidhje me El Clasico-n: “Është një ndeshje e madhe kundër një rivali të madh që po bën mirë. Kjo është një ndeshje speciale për tifozët dhe për ne. Do ta përgatisim sa më mirë të jetë e mundur”, u shpreh Arbeloa.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb







