Ylli botëror i muzikës, Rihanna, ka tërhequr sërish vëmendjen e publikut, këtë herë jo me një projekt muzikor, por me një vendim shumë personal dhe emocional. Këngëtarja ka bërë një tatuazh të ri, i cili përfaqëson një nga aspektet më të rëndësishme të jetës së saj: fëmijët.
Sipas burimeve pranë artistes, Rihanna ka zgjedhur të përjetësojë në trupin e saj një vizatim të realizuar nga vetë fëmijët e saj, duke e kthyer këtë tatuazh në një simbol unik të lidhjes së tyre familjare. Ajo është nënë e tre fëmijëve, të cilët i ka me partnerin e saj, reperin ASAP Rocky, dhe duket se roli i saj si nënë po bëhet gjithnjë e më qendror në identitetin e saj publik.
![]()
Për realizimin e këtij tatuazhi special, Rihanna i është drejtuar një prej artistëve më të njohur të tatuazheve në botë, Keith Scott “Bang Bang” McCurdy. Ky i fundit, i cili ka bashkëpunuar edhe më parë me emra të mëdhenj të industrisë së showbiz-it, ka ndarë në rrjetet sociale disa pamje nga procesi dhe rezultati final i tatuazhit.
Në fotografitë e publikuara, Rihanna shihet duke admiruar me krenari tatuazhin e saj të ri përpara pasqyrës. E veshur me pantallona të shkurtra të zeza, ajo ka zgjedhur që dizajni të vendoset në pjesën e pasme të gjurit, një zonë jo shumë e zakonshme, por që i jep tatuazhit një karakter edhe më të veçantë dhe intim.
![]()
Ky gjest i artistes vjen si një tjetër dëshmi e lidhjes së fortë që ajo ka me fëmijët e saj dhe mënyrës se si amësia ka ndryshuar perspektivën e saj për jetën. Në një intervistë të dhënë më herët në dhjetor për emisionin Extra, Rihanna kishte folur me emocion për përvojën e saj si nënë, duke thënë: “Foshnjat janë të mrekullueshme. Po rriten kaq shpejt dhe nuk mund ta besoj. Fytyrat e tyre po ndryshojnë, qafat po zgjaten… më pëlqen shumë t’i shoh duke u rritur.”









